Këto 7 sjellje të pronarit qeni i mban mend për një kohë shumë të gjatë

Nuk janë domosdoshmërisht udhëtimet apo aventurat e mëdha ato që lënë gjurmën më të fortë, por mënyra si e trajtoni çdo ditë
Udhëtimet, aventurat dhe shëtitjet e gjata mund të jenë përvoja të paharrueshme për një qen, por ajo që ai mban mend më gjatë shpesh lidhet me momente shumë më të zakonshme të jetës së përditshme.
Mënyra si e prisni kur ktheheni në shtëpi, toni me të cilin i flisni, loja e përbashkët apo koha që i lejoni të nuhasë gjatë shëtitjes mund të kenë shumë më tepër rëndësi sesa mendojmë.
Sipas trajneres së certifikuar të qenve Amanda Farah, qentë i dallojnë shumë mirë modelet e përsëritura dhe krijojnë asociacione të forta nga përvojat e përditshme. Pikërisht për këtë arsye, zakonet e pronarit mund të ndikojnë në ndjenjën e sigurisë, besimit dhe afërsisë që qeni zhvillon me të.
1. Mban mend se mund të mbështetet tek ju
Rutina e rregullt i jep qenit ndjenjë sigurie. Ora e ushqimit, shëtitjes, lojës dhe pushimit e ndihmon të kuptojë çfarë mund të presë gjatë ditës.
Qentë i dallojnë shpejt këto modele dhe me kalimin e kohës mësojnë kur zgjoheni, kur dilni nga shtëpia dhe kur është koha për shëtitje. Kjo parashikueshmëri krijon stabilitet dhe besim.
2. Aroma juaj ka rëndësi të veçantë
Shqisa e nuhatjes është jashtëzakonisht e rëndësishme për qentë. Aroma e pronarit mund të lidhet me sigurinë, shtëpinë dhe ndjenjën e përkatësisë.
Prandaj disa qen flenë mbi rrobat e pronarit ose qëndrojnë në vende ku aroma e tij është më e fortë. Kur ju nuhasin pas kthimit në shtëpi, ata jo vetëm ju përshëndesin, por edhe “mbledhin” informacione, transmeton Telegrafi.

3. Mban mend sa mirë luani me të
Loja nuk është vetëm argëtim. Ajo është një nga mënyrat kryesore për të forcuar marrëdhënien mes qenit dhe njeriut.
Qoftë edhe disa minuta me top apo lodrën e preferuar, për qenin rëndësi ka fakti që e ka vëmendjen tuaj të plotë, transmeton Telegrafi.
4. Mban mend zërin dhe mënyrën si silleni me të
Qeni reagon jo vetëm ndaj fjalëve, por edhe ndaj tonit të zërit, mimikës dhe mënyrës si i afroheni.
Komunikimi i qetë dhe i qëndrueshëm ndërton besim, ndërsa frikësimi, ndëshkimi fizik dhe reagimet e paparashikueshme mund të krijojnë pasiguri.
Trajnimi i bazuar në shpërblim dhe përforcim pozitiv është një mënyrë shumë më e mirë për t’i mësuar qenit sjelljet e dëshiruara.
5. Mban mend si e prisni kur ktheheni në shtëpi
Për shumë qen, kthimi i pronarit është një nga momentet më të rëndësishme të ditës.
Një përkëdhelje, disa fjalë ose pak vëmendje mund t’i japin ndjenjën se është i rëndësishëm dhe se lidhja juaj është e qëndrueshme.
Nuk është e nevojshme që çdo kthim të kthehet në një ngjarje të madhe. Mjafton që qeni të ndihet i vërejtur.
6. Mban mend nëse i mundësoni të shoqërohet
Shumë qen kënaqen me kontaktin me qen të tjerë, por jo të gjithë kanë të njëjtin temperament.
Disa janë shumë socialë, ndërsa të tjerë preferojnë distancën dhe qetësinë. E rëndësishme është që pronari të njohë karakterin e qenit dhe t’i mundësojë kontakte të sigurta kur ai i dëshiron.
7. Mban mend nëse e lejoni të eksplorojë
Shëtitja për qenin nuk është vetëm aktivitet fizik.
Nuhatja e barit, pemëve, gardheve dhe vendeve të ndryshme është mënyra e tij për të “lexuar” botën përreth. Përmes aromave ai merr informacione për qen të tjerë, kafshë dhe ndryshime në mjedis.
Prandaj ekspertët këshillojnë që shëtitja të mos jetë vetëm ecje me ritëm të shpejtë, por edhe një mundësi për stimulim mendor.
Janë gjërat e vogla ato që mbeten
Qeni mund të mos e mbajë mend një udhëtim në mënyrën si e kujtojmë ne, por ai ruan ndjenjën e sigurisë, kujdesit dhe afërsisë që përjeton çdo ditë.
Marrëdhënia me të ndërtohet nga rutina, durimi, loja, butësia dhe besimi. Dhe pikërisht këto gjëra të vogla janë shpesh ato që lënë gjurmën më të thellë. /Telegrafi/


































