Shumicën e herëve arsyeja është krejt e padëmshme, por disa shenja tregojnë se zakoni mund të ketë kaluar kufirin

Jeni ngritur nga divani ose kolltuku për të marrë diçka nga kuzhina dhe, kur jeni kthyer, vendin tuaj e ka zënë tashmë qeni. Shikimi i tij është krejt i pafajshëm, por nuk mund ta largoni përshtypjen se këtë e ka bërë me qëllim.


Megjithatë, sipas trajnerëve të qenve, në shumicën e rasteve kjo sjellje nuk ka të bëjë me përpjekjen për t’ju marrë vendin apo “territorin”.

Arsyeja është shumë më e thjeshtë: vendi ku sapo keni qëndruar ju mban aromën tuaj, ndërsa kjo është pikërisht ajo që e tërheq qenin. Për të, aroma e pronarit lidhet me sigurinë, afërsinë dhe rehati.

Prandaj, në vend që ta interpretoni këtë sjellje si sfidë apo dominim, më shpesh bëhet fjalë vetëm për një mënyrë tjetër me të cilën qeni kërkon afërsi me ju.

Nëse qeni zhvendoset pa problem kur ktheheni dhe kërkoni vendin tuaj, zakonisht nuk ka arsye për shqetësim, transmeton Telegrafi.

Kur kjo sjellje mund të bëhet problem

Edhe pse zakonisht është e padëmshme, pronarët duhet të jenë të vëmendshëm nëse qeni fillon të sillet në mënyrë mbrojtëse ndaj diçkaje që e konsideron të vlefshme, qoftë ushqim, lodër, shtrat apo një vend të caktuar për pushim.

Shenja paralajmëruese janë kur qeni fillon të gërhasë, ngurtësohet, nuk ju lejon të afroheni ose refuzon të largohet nga divani apo kolltuku.

Edhe më serioze është situata nëse përpiqet të kafshojë ose të sulmojë kur pronari kërkon të ulet përsëri në vendin e vet.

Kjo sjellje nuk duhet ngatërruar me rastin kur qeni thjesht shtrihet në një vend të lirë dhe largohet sapo i kërkohet.

Mos e tërhiqni qenin me forcë

Nëse qeni nuk dëshiron të zbresë nga divani ose kolltuku, nuk rekomandohet që ta kapni dhe ta tërhiqni me forcë. Kjo mund ta përshkallëzojë situatën dhe të rrisë rrezikun e reagimit agresiv.

Më mirë është të përdoren komanda të mësuara më parë, si “zbrit”, “largohu” ose “në vend”, dhe të shpërblehet qeni kur bindet.

Nëse ai nuk i njeh këto komanda ose vazhdon ta ruajë vendin në mënyrë kërcënuese, rekomandohet ndihma e një trajneri profesionist ose specialisti të sjelljes së qenve.

Nëse një qen që më parë nuk ka shfaqur kurrë një sjellje të tillë papritur fillon ta mbrojë divanin, shtratin apo vendin ku ulet pronari, këshillohet edhe kontroll veterinar.

Ndryshimet e papritura në sjellje ndonjëherë mund të lidhen me dhimbje, parehati ose probleme të tjera shëndetësore.

Në shumicën e rasteve, pra, qeni që “ju vjedh” vendin thjesht kërkon aromën dhe afërsinë tuaj. Problemi fillon vetëm atëherë kur vendi shndërrohet në diçka që ai mendon se duhet ta mbrojë. /Telegrafi/