Nga ankthi i ndarjes dhe prishja e rutinës deri te lodhja apo një problem shëndetësor – ja kur sjellja është kalimtare dhe kur duhet veterineri

Kthimi nga pushimet për shumë pronarë shoqërohet me një takim plot gëzim me qenin. Megjithatë, ndonjëherë pas kthimit ai mund të sillet ndryshe – të jetë pa energji, jashtëzakonisht i qetë ose, përkundrazi, të mos ndahet fare nga pronari.


Ndryshime të tilla nuk janë të rralla dhe zakonisht kanë një shpjegim. Kuptimi i shkakut mund t’ju ndihmojë të reagoni siç duhet dhe ta lehtësoni përshtatjen e qenit pas pushimeve, shkruan Dogster.

Çrregullimi i rutinës

Qentë ndihen më të sigurt kur kanë një rutinë të parashikueshme: ushqim në orare të ngjashme, shëtitje të rregullta dhe ritëm të qëndrueshëm ditor.

Pushimet e prishin këtë ritëm, pavarësisht nëse qeni ka udhëtuar me ju apo ka qëndruar me një kujdestar. Pas kthimit mund t’i duhen disa ditë për t’u përshtatur. Rikthimi sa më shpejt te rutina e zakonshme e ndihmon.

Ankthi nga ndarja

Nëse ka qenë larg jush, qeni mund të shqetësohet se mos largoheni përsëri. Kjo mund të shfaqet duke ju ndjekur kudo në shtëpi, duke u trazuar kur merrni çelësat ose vishni këpucët, duke qarë apo dëmtuar sende kur mbetet vetëm.

Në këto raste ndihmon mësimi gradual me ndarjen, duke nisur me mungesa shumë të shkurtra dhe duke shpërblyer sjelljen e qetë.

Lodhja pas udhëtimit

Nëse qeni ka qenë me ju në pushime, mund të jetë thjesht i lodhur. Mjediset e reja, aromat e panjohura, aktivitetet dhe gjumi i çrregulluar mund të jenë stresues.

Përgjumja dhe mungesa e energjisë për një ose dy ditë zakonisht nuk janë shqetësuese nëse oreksi është normal dhe gjendja përmirësohet gradualisht, transmeton Telegrafi.

Mund të ketë sëmundje ose lëndim

Jo çdo ndryshim duhet t’i atribuohet stresit. Qentë që kanë qëndruar në hotele për kafshë mund të jenë ekspozuar ndaj infeksioneve, ndërsa udhëtimi mund t’i ketë ekspozuar ndaj parazitëve ose lëndimeve.

Nëse shfaqen letargji e zgjatur, humbje oreksi, të vjella, diarre, vështirësi në frymëmarrje ose dhimbje gjatë prekjes, duhet kontaktuar veterineri.

Një përvojë stresuese gjatë kujdesit

Nëse qeni është kthyer nga kujdestari ose hoteli më i tërhequr apo më nervoz, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se është trajtuar keq.

Vetë zhurma, prania e shumë qenve të panjohur dhe një ambient i ri mund të shkaktojnë stres. Shumica e qenve qetësohen brenda disa ditësh pasi kthehen në shtëpi.

Nëse ankthi ose ndryshimet në sjellje vazhdojnë më shumë se një javë, këshillohet veterineri.

Mund të ketë mësuar një sjellje të re

Ndryshimi nuk është gjithmonë negativ. Nëse kujdestari ka shpërblyer qetësinë dhe ka injoruar eksitimin e tepërt, qeni mund të jetë kthyer me zakone më të mira.

Një përshëndetje më e qetë në derë, për shembull, mund të jetë thjesht rezultat i një sjelljeje të re të mësuar.

Ndryshime në humor

Pas një ndryshimi të madh të rutinës, disa qen mund të bëhen më të tërhequr, të flenë më shumë ose të kenë ndryshime në oreks.

Zakonisht gjendja përmirësohet me rikthimin e rutinës, shëtitjet e zakonshme dhe kohën e kaluar me pronarin. Nëse ndryshimet vazhdojnë për një ose dy javë, duhet kërkuar këshilla profesionale.

Në shumicën e rasteve, përshtatja pas pushimeve është e shkurtër. Qetësia, rutina dhe pak më shumë vëmendje janë zakonisht të mjaftueshme që qeni të kthehet në sjelljen e tij të zakonshme. /Telegrafi/