LAJMI I FUNDIT:

Kështu komentohen në Maqedoni qëndrimet e Zaevit për Kosovën

Kështu komentohen në Maqedoni qëndrimet e Zaevit për Kosovën

Në fillim të muajit mars të këtij viti, Zoran Zaevi e prezantoi programin për qeverinë e ardhshme, gjegjësisht platformën e LSDM-së. Theks të veçantë ai u vë çështjeve etnike, si dygjuhësia, drejtësia dhe mirëqenie të barabartë për të gjithë qytetarët në Maqedoni. Edhe në fushatën e tij zgjedhore dhe konceptin e tij politik Zaev nuk bën ndarje etnike në asnjë moment.

Ajo çfarë ka shqetësuar opinionin është intervista e Zoran Zaevit e dhënë para tre ditëve për televizionin serb, Kurir, ku thotë se me serbët janë vëllezër dhe se duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin, pasi që janë edhe popuj ortodoks. Poashtu edhe se distancohet nga Gruevski se është dashur që të jetë neutral në rastin e votimit në UNESCO-s në lidhje me objektet fetare serbe në Kosovë, që sipas tij, përmbajnë histori serbe dhe janë zemra e Serbisë. Mendësi politike e këtij lloji i përshtatet politikës ksenofobe të Serbisë, gjegjësisht qendrimeve që ata kanë ndaj Kosovës, ‘Kosova zemra e Serbisë’.


A është Zaevi politikani të cilin shqiptarët e Maqedonisë në përgjithësi e njohin si më i hapuri për çështjet shqiptare, ku çështjet do të jenë të rendit të parë, ashtu siç edhe komuniteteve tjera. Si vlerësohet ‘qortimi’ ndaj Talat Xhaferit për vendosjen e flamurit shqiptar në kabinetin e tij? A është Zaevi politikan i një mendësie ballkanike? Për këtë dhe më shumë të tjera, për Telegrafi Maqedoni diskutojnë ish-ambasadori Alajdin Demiri, ish-ministri i Arsimit Sulejman Rushiti, studiuesi i çështjeve ndëretnike Sead Zimeri, profesori universitar Salajdin Salihu dhe politikologu Xhenis Sulimani.

Profesori Salajdin Salihu për Telegrafi Maqedoni thotë se të parëndësishme janë politikat e çastit dhe se raportet politike shqiptaro-maqedonase i sheh përmes kontratave politike.

‘Nuk prirem që ta kundroj politikën nëpërmjet efekteve të çastit, shpesh herë anësore dhe të parëndësishme, që stimulohen për përfitime politike ditore. Më shumë dua që raportet politike shqiptaro – maqedonase t’i shikoj nëpërmjet kontratave politike dhe zbatueshmërisë së tyre. Pra në rastin e politikës shqiptare më intereson se çfarë strategjie kanë për të arritur atë që u duhet shqiptarëve këtu. Besoj se në këtë pikë duhet të fokusohet politika jonë’, vlerëson Salihu.

Alajdin Demiri vlerëson se koncepti politik i Zaevit është më i avancuar krahasuar me atë të Gruevskit dhe nuk duhet aq shpejtë të konstatojmë se edhe ai me politikbërjen e tij i ngjan pushtetit të Gruevskit.

‘Është herët të vlerësohet Zoran Zaevi si kryeministër i ardhshëm. Deklaratat dhe orientimet e tij në fillim, janë të një multietniciteti më të avancuar, gjë të cilën e bën edhe në partinë e vet. Duke përfshirë edhe shqiptarë brenda dhe konceptin e shteti e sheh si multietnik. Në këtë kontekst, koncepti i tij për Maqedoninë si multietnike është më i avancuar se i OBRM-PDUKM, e cili formalisht deklarohet si Maqedoni unitare dhe vetëm e maqedonasve. Mendoj se pozita e Zaevit do të vlerësohet nëse do të tentojë ta bëjë këtë përmes institucioneve të cilët ai i udhëheq dhe mendos se këtu mund të vlerësohet. Problemet e imëta, si deklarata, flamuri a është këtu a është aty, për mendimim tim janë nuanca shumë të ulëta politike. Janë nuanca të provokimeve të ulëta, të cilët i bëjnë herë kënduesit e himnit, herë ata që vendosin flamuj në tavolinat e veta. Kështu që mendoj se nuk duhet të ketë këtu një koment serioz. Ato janë provokime të nivelit të ulët, nuk i shërbejnë politikbërjes dhe veprave politike’, vlerëson Demiri.

Demiri thotë se Zaevi nuk mund t’i takojë mendësisë të një politikani të garniturës së vjetër të LSDM-së. Do të dëshmojë puna. Mendoj se duhet të analizohet vepra dhe jo deklarata e ambientit. Ai në momentin kur LSDM-në e bën parti multietnike dhe qëndron pas asaj, kjo do të thotë se ka një koncept më ndryshe. Koha është ajo që veprimet në shtet, konceptet shtetërore më komplekse do ta dëshmojnë mendësinë e tij politike.

Nga ana tjetër, ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti thotë se deklaratat e fundit të Zaevit nuk duhet të analizohen prej tani, politikbërja e tij duhet të analizohet pas implementimit të politikave.

‘Këto janë tema të vjetra, retrograde. Zaev nuk duhet të merret me këto tema, madje as për analiza politike, sepse janë tema që nuk kanë rezultat. Sa i përket çështjes çfarë politikani është, do të duhet ta analizojmë pas fillimit të implementimit të politikave. Respektivisht në fillimin e negociatave për qeverisje. Vlerësimi duhet të bëhet në bazë të projekteve konkrete’.

Qëndrimi i Zaevit për Kosovën është qëndrim i gabuar, shkurtpamës dhe në kontradiktë me parimet e politikave majtiste, kështu thekson Sead Zimeri, studiuesi i çështjeve etnike.

‘Kosova është një realitet i pashlyeshëm dhe i pamohueshëm dhe Zaevi apo kushdo tjetër që nuk e merr këtë fakt parasysh, i ka mbyllur sytë para një realiteti që vetëm ekziston dhe është duke jetuar në një botë alternative. Dua të them që nuk ka mirëkuptim këtu dhe shqiptarët e Maqedonisë që do të hyjnë në koalicion me të, duhet të bëjnë çdo përpjekje për t’ia ndryshuar mendimin për Kosovën. Por ne duhet të nisemi nga parime pragmatike në bashkëpunim me Zaevin’, thekson Zimeri.

Zoran Zaev, kandidati potencial për ta marr qeverisjen në Maqedoni, në fushatën e tij për ta rrëzuar Nikolla Gruevskin ka premtuar një mendësi ndryshe. Një mendësi politike të bazuar në vlera, pik së pari profesionale, me qëllim zhvillimin e shoqërisë në binaret e së drejtës dhe vlerave europiane, kështu vlerëson politikologu Xhenis Sulimani.

‘Zaev është rritur dhe zhvilluar politikisht në Maqedoni, e cila ka pasur pushtete të ndryshme me liderë të ndryshëm. Ai do të duhej të kishte mësuar shumë dhe të njëjtat gabime nuk duhet t’i përsërisë. Unë nuk do të kisha marr guximin për paragjykim. Por një gjë jam i bindur, se qysh në 100 ditët e para të qeverisjes ai do të jep një pasqyrë për veten, nëse është Zaev ai i njëjti që premtonte mendësi ndryshe apo vec një vazhdimësi e ish regjimit’, deklarohet Sulimani.

Qëndrime kundërthënëse të Zaevit për Kosovën (Video)
Lexo po ashtu Qëndrime kundërthënëse të Zaevit për Kosovën (Video)

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori