Kesha 'sulmon' Trump për përdorimin e muzikës së saj në video ushtarake

Këngëtarja, Kesha, ka reaguar ashpër pasi Shtëpia e Bardhë publikoi në TikTok një video ku përdorej kënga e saj “Blow”, e shoqëruar me pamje të një sulmi ajror dhe mbishkrimin “Vdekshmëri”.
Videoja u postua më 10 shkurt dhe shkaktoi menjëherë reagime në rrjet.
Përmes një mesazhi në platformën X, artistja deklaroi se nuk e miraton në asnjë formë përdorimin e muzikës së saj për të nxitur dhunë apo për të kërcënuar me luftë, shkruan DailyMail.

Ajo e cilësoi përmbajtjen si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me vlerat që përfaqëson, duke theksuar se dashuria gjithmonë e tejkalon urrejtjen.
Në reagimin e saj, Kesha sulmoi edhe presidentin Donald Trump, duke e përmendur në lidhje me publikimet e fundit rreth dosjeve Epstein.

Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë deklaroi se përmendja e Trump në dokumente nuk nënkupton shkelje ligjore, ndërsa ai ka mohuar çdo akuzë.
Postimi i këngëtares ndau rrjetin mes mbështetësve dhe kritikëve: disa e nxitën të ndërmarrë hapa ligjorë për të drejtat e autorit, ndërsa të tjerë e kundërshtuan qëndrimin e saj. /Telegrafi/






























































