LAJMI I FUNDIT:

Kërkojnë debat njëri me tjetrin dhe premtojnë jetë më të mirë, kandidatët për president vazhdojnë fushatën

Kërkojnë debat njëri me tjetrin dhe premtojnë jetë më të mirë, kandidatët për president vazhdojnë fushatën

Fushata për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut e cila ka nisur më 4 prill, tashmë është futur në javën e dytë. Kandidatët për president gjatë ditës së sotme kanë vazhduar takimet me qytetarët dhe aktivitetet e tyre.

Javën e fundit të fushatës zgjedhore për rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale, kandidati për president Stevo Pendarovski sot e filloi me takime me banorët e komunës së Shkupit, Saraj dhe Çair. Duke theksuar se para pesë vitesh kishte premtuar se do të jetë president i të gjithëve, pavarësisht përkatësisë fetare apo kombëtare, Pendarovski tha se të gjithë qytetarët i ndjen si të vetit.


Ai ka theksuar se dyert e tij kanë qenë të hapura, pavarësisht nëse kanë ardhur maqedonas, shqiptarë, turq apo qytetarë të etnive të tjera, apo dikush që nuk e ka votuar, njofton Telegrafi Maqedoni.

Kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, në tubimin në Kisella Vodë përsëriti se është kundër zgjedhjes së presidentit në Kuvend. Sipas saj, legjitimiteti i marrë nga qytetarët dhe jo nga partia dhe lideri, i jep të drejtë presidentit të mendojë vetë. Davkova thotë se nëse presidenti zgjidhet në Kuvend, kërcënohet rreziku që të gjitha pushtetet të përqendrohen në një vend dhe që funksionet të mos vendosen në mënyrë transparente dhe të hapur, por përmes pazareve ndërpartiake.

“A jam unë për zgjedhjen e kreut të shtetit në Kuvend, kinse do të kursejmë para dhe jo përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta? Përgjigjen e kam dhënë shumë kohë më parë dhe nuk jam presidenti Stevo Pendarovski t’i ndryshoj qëndrimet, sidomos ato shkencore ndaj them “jo”. Unë jam kundër. Gjithashtu do t’ju tregoj pse. Së pari, sepse ma kujton socializmin”, tha Gordana Siljanovska Davkova.

Kandidati për president, Stevço Jakimovski, njoftoi se si president i ardhshëm i vendit do të propozojë reforma në vetëqeverisjen lokale për hir të, siç thotë ai, funksionalitetit më të madh, duke pasur parasysh se pushteti lokal është më afër qytetarëve. Sot në Karposh të Shkupit, tha se nevojitet një Ligj i ri për vetëqeverisjen lokale, si dhe ndarja e ndërmarrjeve të qyteteve publike në Shkup në komuna, që të ketë ndërmarrje publike funksionale të qytetit, që me të vërtetë do të merren me higjienën.

“Ne kemi nevojë për ndryshime në vetëqeverisjen lokale dhe në funksionimin e Qytetit të Shkupit, që do të thotë një Ligj i ri për Qytetin e Shkupit, një Ligj i ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili do të rrisë kompetencat në fushën e inspektorëve komunalë. Pra, duhet të kemi inspektorë komunalë, të cilët do të kenë autorizimin për të legjitimuar, ndëshkuar, neutralizuar fizikisht”, tha Stevço Jakimovski.

Kandidati për president nga Fronti Europian, Bujar Osmani insiston për një “duel” mediatik me kundër-kandidaten nga OBRM-PDUKM-ja, Gordana Siljanovska-Davkova. Me qëllim që të shpalosin ofertat e tyre e të flasin hapur para qytetarëve se kush çfarë vizioni ka për Maqedoninë e Veriut, vetëm gjatë ditës së djeshme, Osmani i bëri oponentes politike dy ftesa publike.

“Prandaj sot, ftova kundër kandidaten time, znj. Gordana Siljanovska, dhe ja po e ftoj përsëri, eja të dalim në debat! Për shkak se dy ofertat tona janë të vetmet alternativa, eja të dalim në debat! Unë do të flas për integrimin, ti do të flasësh për izolimin. Unë do të flas për bashkëjetesën e Frontit Europian, ti do të flasësh se si kërkon 61 deputetë për t’i përjashtuar shqiptarët, turqit e të tjerët, nga vendimmarrja. Unë do të flas si secili prej nesh në xhepin e vetë të ketë pasaportën europiane, kurse ajo le të flet, se si i detyron njerëzit dhe maqedonasit të marrin pasaportë bullgare, për të ikur drejt Europës. Këto janë 2 alternativat që na ofrohen neve”, theksoi Osmani.

Kandidatja për presidente Biljana Vankovska, në një takim me qytetarë në Komunën Qendër të Shkupit, theksoi se kishte diskriminim në procesin zgjedhor, të nxitur nga një vendim i qeverisë.

Sipas saj, dita e zgjedhjeve, e mërkura u shpall ditë jo pune për administratën publike, dhe vendimi nuk është i detyrueshëm për sektorin privat. Ajo thotë se në këtë mënyrë një numër i madh i qytetarëve, veçanërisht nga Shkupi, por me origjinë nga qytetet e tjera, nuk do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës.

Kandidati i VLEN-it për president, Arben Taravari sot vizitoi qytetin e Velesit dhe vendbanimet përreth tij. Fillimisht ishte në Xhaminë e Velesit, pastaj vizitoi edhe tregun e qytetit dhe dëgjoi kërkesat e tregtarëve dhe qytetarëve.

“Sot vendosëm ta vizitojmë Maqedoninë lindore dhe ta fillojmë nga qyteti i Velesit për të bashkëbiseduar me tregtarët, njerëzit dhe më pas do të vazhdojmë në lagje dhe vendbanime të tjera”, tha Taravari, duke theksuar se vizita e tij në këto vendbanime është dëgjimi i kërkesave të qytetarëve dhe njoftimi nga afër me problemet që ata ballafaqohen.

“Unë dua të jem president që gjeneron zgjidhje, do të propozoj ligje që janë në interes të qytetarëve, e jo do të nënshkruaj ligje të inkurajuara nga elitat politike”, tha nga mbledhja e partisë kandidati për kryetar të shtetit Maksim Dimitrievski në Gostivar.

“Dy elitat politike, të pangopura për pushtet, gjatë gjithë këtyre njëzet viteve janë përpjekur të përshtaten me BDI-në. Ata kanë marrë më shumë se gjysmën e pushtetit ekzekutiv, po ashtu marrin çdo ditë pushtetin e pavarur, gjyqësor. Profesionistët në sistem janë mënjanë dhe ushtarët partiakë po i bëjnë të gjitha lëvizjet”, tha Dimitrievski.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 24 prill./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
KFOR-i mohon se ndërmjetësuan për largimin e paramilitarëve serbë nga Banjska

KFOR-i mohon se ndërmjetësuan për largimin e paramilitarëve serbë nga Banjska

Siguri
Paradite polic, pasdite sigurim në diskotekë – IPK po i heton këto raste

Paradite polic, pasdite sigurim në diskotekë – IPK po i heton këto raste

Lajme
Turistët nga Kosova braktisin Durrësin pas liberalizimit të vizave

Turistët nga Kosova braktisin Durrësin pas liberalizimit të vizave

Lajme
Muharremi bën analizën e popullsisë: Po del që nga 2011-ta, Kosovën e lëshuan për çdo vit 40 mijë persona

Muharremi bën analizën e popullsisë: Po del që nga 2011-ta, Kosovën e lëshuan për çdo vit 40 mijë persona

Sociale
Gërvalla në Uashington: Kosova e përkushtuar për NATO dhe BE, Serbia kërcënim për rajonin

Gërvalla në Uashington: Kosova e përkushtuar për NATO dhe BE, Serbia kërcënim për rajonin

Lajme
Nga drama e eksodit, deri tek suksesi i shqiptarëve në Itali - Rama kryen edhe vallen e dytë kuqezi

Nga drama e eksodit, deri tek suksesi i shqiptarëve në Itali - Rama kryen edhe vallen e dytë kuqezi

Lajme
Kalo në kategori