LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që mos të mbyllen Qendrat Mësimore

Kërkohet që mos të mbyllen Qendrat Mësimore

Organizatat e shoqërisë civile u mblodhën para Ministrisë së Arsimit për të kërkuar shtyrjen e implementimit të Udhëzimit Administrativ (19/2018) për regjistrimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore.

OJQ të ndryshme kanë hapur qendra mësimore në vende të ndryshme të Kosovës që nga viti 2007  ku janë mbi 50 qendra mësimore në tërë Kosovën, disa prej tyre funksionojnë brenda shkollës disa në qendra komunitare.

Në këto qendra vijojnë mësimin kryesisht  fëmijë romë, ashkali dhe egjiptianë, por edhe fëmijë tjerë, e që po hasin në shumë vështirësi për shkak të mos financimit.

Zyrtarja e organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, Amanda Toska, tha se qëllimi i kësaj iniciative është t’ia rikujtojnë MASHT-it , sfidat me të cilat mund të përballen fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë në rast të mbylljes së këtyre qendrave.

“Qëllimi i kësaj iniciative avokuese është që t’ia rikujtojmë MASHT-it  sfidat me të cilat mund të përballen fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë si dhe fëmijët e tjerë të cilët vijojnë mësimin shtesë për shkak të vonesave të udhëzimit administrativ, e ndër të tjera në këtë udhëzim administrativ te neni 12 paragrafi 1 i udhëzimit administrativ  thuhet se ‘Ministria do të hartojë një udhëzues praktik  për funksionimin e qendrave të mësimit’ i njëjti nen në paragrafin 3 sqaron më tej ‘Ministria do të  sqarojë udhëzuesin me modelin e raportimit jo më vonë se 3 muaj që ky udhëzim administrativ hyn në fuqi’ duke qenë se ky udhëzues jo vetëm që nuk është shpërndarë brenda datës së afatit të përcaktuar me udhëzimin administrativ,  por ai nuk është i aprovuar nga ministri. Kjo vonesë e pa arsyeshme e ka shkaktuar një numër sfidash”, tha Toska.

Ajo bëri të ditur se po kërkojnë nga MASHT që sa më shpejt të nxjerr udhëzuesin për regjistrimin e qendrave të mësimit shtesë dhe rrjedhimisht të hap këtë proces dhe të përkrah financiarisht.

Drejtori i Qendrave Mësimore, Muhamet Arifi  tha se për funksionimin e këtyre qendrave shumica e financimit ka ardhur nga donatorët, ndërkohë që kontributi financiar nga institucionet e Kosovës ishte minimal krahasuar me financimin e planifikuar.

Ai bëri thirrje MASHT për përkrahje financiare në këto qendra.

“Parlamenti i Kosovës në vitin 2019 ka aprovuar 500 mijë euro për financimin e Qendrave Mësimore. Fatkeqësisht në muajin gusht kemi kuptuar se këto mjete financiare ishin dedikuar në vijën e gabueshme buxhetore investime kapitale dhe nuk mund të shfrytëzoheshin për aktivitete të qendrave mësimore, fatkeqësisht këto mjete financiare  nuk janë shfrytëzuar në vitin 2019 kjo ka ndodhë për shkak të neglizhencës dhe mos koordinimit të institucioneve përgjegjëse të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministrisë së Financave e po ashtu edhe Zyrës për Qeverisje të mirë”, tha Arifi.

Sipas tij nëse këto qendra nuk përkrahen financiarisht, sukseset e fëmijëve që vijojnë mësimet aty do të zhduken.

Organizata Ballkan SunFlowers ka gjashtë qendra mësimore në katër komunat e Kosovës.