LAJMI I FUNDIT:

Kërkohet që bizneset të kenë një çmim për energjinë, jo tarifat verë-dimër

Kërkohet që bizneset të kenë një çmim për energjinë, jo tarifat verë-dimër

Çështja e furnizimit me energji elektrike sa i përket bizneseve, tarifat e larta dhe ndarja e tarifave verore dhe dimërore, ishin temë diskutimi në takimin që Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik pati me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, i cili u kryesua nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi tha se furnizimi në sasi, cilësi dhe në rregullsi, është obligim dhe përgjegjësi e KEDS-it.


“Të gjitha dëmet që u shkaktohen akterëve ekonomik dhe të tjerëve në këtë çështje, duhet të jenë përgjegjësi e KEDS-it”, tha Kelmendi.

Sipas tij, çmimi tarifor duhet të trajtohet me legjislacionin ekzistues dhe çmimi të jetë ai që e përcakton mirë dhe qartë vlerën, pa marrë parasysh çështjen e tarifës verë-dimër.

Zëvendëskryeministri Kelmendi, tha se Qeveria e Kosovës dëshiron që akterët të kenë prodhim kontinual dhe me çmime të njëtrajtshme, në mënyrë që të jenë konkurrues në tregun vendor dhe tregun e eksportit.

“Ftoj të gjitha ministritë që të nisin iniciativa për ndryshim-plotësimit e ligjeve ekzistuese, që avancojnë zhvillimin ekonomik, e në veçanti sa i përket energjisë elektrike”, ka thënë më tej Kelmendi.

Ndërsa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se gjatë dy viteve të fundit Qeveria ka bërë reforma substanciale, sa i përket përmirësimit të ambientit të biznesit, duke përfshirë përmirësimin e politikave fiskale, me të cilin po vazhdojnë edhe më tutje, eliminimin e burokracisë, qasjen në financa përmes Fondit për Garanci Kreditore, promovimit të produkteve vendore dhe mbështetjes së ndërmarrjeve për ngritje të cilësisë, ndërtimit të zonave ekonomike, thjeshtësim të procedurave për marrjen e lejeve dhe licencave, eliminim të disa taksave dhe zbritje të disa tjerave për të gjitha shërbimet që ofrojnë institucionet e nivelit qendror dhe lokal për gjitha bizneset, me qëllim që të nxisim zhvillimin ekonomik të Kosovës.

”Qeveria ka marrë masa edhe sa i përket edhe furnizimit stabil me energji elektrike. Ne e dimë që energjia elektrike është parakusht për zhvillim ekonomik. Situata me furnizim është më e mirë se e para disa viteve, megjithatë ne kemi konsideruar se me disa masa të shpejta këtu ka hapësirë për përmirësim”, ka bërë të ditur ministrja Bajrami.

Duke folur për çështjen e maksigrafit, ministrja Bajrami tha se Asociacionet e biznesit besojnë se maksigrafi është i panevojshëm dhe duhet të largohet, sepse bënë bizneset që të paguajnë një sasi të energjisë elektrike e cila nuk shpenzohet.

“Çështje tjetër që është ngritur janë çështja e tarifave verë-dimër dhe çështja e diferencës së tarifave në mes të ekonomisë familjare dhe industrisë. Asociacionet e biznesit kanë kërkuar që të shkojmë drejt harmonizimit të këtyre tarifave, në mënyrë që bizneset të paguajnë të njëjtin çmim sikur gjatë sezonit të dimrit edhe gjatë sezonit të verës, për shkak se ato nuk rrisin konsumin gjatë dimrit”, tha ministrja Bajrami.

E ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerim Stavileci, tha se krahasuar me periudhat e kaluara distribuimi dhe furnizimi me energji ka qenë më i mirë.

“Por, natyrisht mbesin edhe disa brenga dhe shqetësime edhe nga komuniteti i bizneseve, por edhe nga qytetarët, ku më shumë ka arsye objektive, sepse nganjëherë ekzistojnë këto probleme dhe këto shqetësime”, tha ministri Stavileci, duke theksuar se po punohet që të zgjidhet problemi më i madh, ai i projektit të Termocentralit “Kosova e Re”. /kp/