LAJMI I FUNDIT:

​Kërkohet mbështetje më e madhe për gratë në agrobiznes

​Kërkohet mbështetje më e madhe për gratë në agrobiznes

Rreth 25 agrobiznese të udhëhequra nga gratë, që vijnë nga tetë komuna të Kosovës, po marrin pjesë në panairin me moton “Nga ne, për ju”, me produkte në agrobiznes

Për dy ditë me radhë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, do të ekspozohen produktet e grave me qëllim të promovimit dhe sigurimit të mbështetjes më të madhe.


Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi ka thënë se ky panair ka për qëllim promovimin e rolit të gruas si dhe forcimin e saj në biznese bujqësore.

Ai ka thënë se këtë vit rreth 145 gra kanë fituar grante në sektorin e zhvillimit rural, në vlerë financiare mbi 7 milionë euro.

“Si Ministri e Bujqësisë përmes programeve tentojmë t’i japim gruas një rol të caktuar. 145 gra kanë fituar grante në sektorin zhvillimit rural në vlerë financiare mbi 7 milionë euro. I konsiderojmë të rëndësishme takime të tilla për të ndarë ide si të përmirësojmë politikat tona që roli gruas sidomos në sektorin agro-ushqimor të shtohet ende tutje. Finesa, delikatesa, kujdesa e gruas ndaj ushqimit është shumë e madhe se sa pjesa tjetër e shoqërisë, burrave. Ne si Ministri e Bujqësisë do jemi gjithmonë afër organizimeve të tilla, afër promovimeve dhe diskutimeve për të përmirësuar ende politikat tona”, është shprehur Demelezi.

Ndërsa Aferdita Murati, pronare e biznesit “Natyral Berry” ka thënë se këto organizime ndihmojnë shumë në promovimin e produkteve.

Ajo ka theksuar se gratë kanë nevojë për më shumë përkrahje.

“Merrem me kultivim dhe të frutave dhe lëngjeve të boronicës jemi në treg, në territorin e Kosovës, produktet e mia janë natyrale pa sheqer dhe pa koservans. Ka organizime të shumta jam edhe ne tregun në Prishtinë tri herë në javë, ka edhe organizime qe na ndihmojnë në promovimin e produkteve tona, këtë vit organizim e ka Eco-Woman, çdo grua ka nevojë për përkrahje së pari nga familja , institucionet dhe organizatat dhe po ashtu ta ndihmojmë njëra tjetrën, gratë shqiptare janë të zonja mundem me arrit, vetëm duhet përkrahje sa më e madhe”, ka thënë Murati.

Edhe Valdete Sahiti nga Vitia, ka thënë se kanë nevojë për promovimin e produkteve.

“Veprimtaria e kompanisë tonë është prodhim dhe përpunim i perime kulturës, janë disa lloje të cilat i kultivojmë vet dhe i përpunojmë, kur të vjen mundësia po i ekspozojmë i kemi ekspozuar edhe më herët me këtë veprimtari merremi nga 2016 jemi përfituese të Caritas Zviceran me pajisje dhe na mundësohet më shpesh me i ekspozuar produktet. Secila grua dhe mashkull i ka sfidat e veta, është mos përkrahja, me kalimin e kohës vërtet e kanë qëllimin e mirë për të punuar gjithmonë. Nga organizata e ndryshme ka nevojë për promovim të këtyre produkteve”, ka thënë Sahiti.

Panairi për gratë në agrobiznes do të zgjasë dy ditë dhe do të ekspozohen rreth 25 agrobiznese të udhëhequra nga gratë. Panairi më moton “Nga ne për ju” është i financuar nga organizata Eco-Women. /KP/