Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, është deklaruar për zhvillimet e fundit në Kosovë, lidhur me votat e ardhura nga Serbia, si pasojë e të cilave mbi 20 zyrtarë të KQZ-së kërkuan ndihmë mjekësore.

Shefi i diplomacisë serbe tha për ‘Tanjug” se “manipulimet e fundit që po përdoren nga shqiptarët nuk do të thotë se ata duan të dëbojnë vetëm Listën Serbe nga Parlamenti, por duan ta dëbojnë tërë populli serb në ilegalitet”.

“A thua emisarët e shumtë ndërkombëtarë që do të vijnë në Prishtinë dhe Beograd, do të qëllojnë me grusht mbi tavolinë dhe të vendosin rend te politikanët e Prishtinës, që përfundimisht të ndalojnë ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme ndaj popullit serb? Sepse kur të ndizet zjarri, vështirë mund të shuhet më vonë”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.

Ai tha se “ka ardhur koha që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë seriozisht paralajmërimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq se jemi afër një problemi dhe kërcënimi të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se është shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, dhe se çdo përpjekje për të “shfuqizuar” Listën Serbe mund të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve.

“Unë jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë, veçanërisht në lidhje me përpjekjen e shqiptarëve për të marrë një vendim për shfuqizimin e Listës Serbe”.

Vuçiq tha se Lista Serbe mori 96 për qind të votave të serbëve të Kosovës në zgjedhje.

“Tashmë ata nuk janë më të sigurt nëse janë helmuar. Ata nuk dinë çfarë të shpikin, por konstatojnë se Lista Serbe duhet të shfuqizohet. Kjo, do të ketë pasoja katastrofale për marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve sepse serbët nuk do të jenë më në institucione. Dhe kur serbët nuk janë në institucione, ju e dini si do të duhet të mbrojnë lirinë dhe vatrën e tyre”, tha Vuçiq. /Telegrafi/