Këngëtarja e njohur shqiptare, Adelina Thaçi - Meta, ka shënuar sot një kapitull të ri në jetën e saj profesionale, duke ia bërë “sefte” në Kuvendin e Kosovës si deputete.

Këtë të mërkurë, teksa po mbahet seanca për konstituimin e legjislaturës së re, këngëtarja e hitit “Kontrast” u shfaq për herë të parë në ambientet e Kuvendit si deputete e zgjedhur.


Paraqitja e saj ka tërhequr vëmendjen jo vetëm për shkak të figurës së saj publike, por edhe për kalimin nga skena muzikore në atë politike.

Adelina Thaçi Meta (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Adelina ka arritur të sigurojë një vend në listën e ngushtë prej vetëm 15 deputetësh të zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u bërë pjesë e kësaj legjislature madje pa pasur nevojë për kuotë gjinore – një fakt që është komentuar si tregues i mbështetjes së drejtpërdrejtë qytetare për kandidaturën e saj.

Adelina Thaçi Meta dhe deputetët e LDK-së duke hyrë në Kuvend (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Me një karrierë të gjatë dhe të konsoliduar në muzikë, përfshirë angazhimin e saj në Filharmoninë e Kosovës, Adelina Thaçi - Meta ka qenë për vite me radhë një emër i njohur në skenën artistike vendore. Tani, ajo ka vendosur ta sprovojë veten edhe në politikë, duke hyrë në një fushë krejtësisht të re për të.

Rrugëtimi i saj politik duket se ka nisur me sukses, pasi u zgjodh deputete që në kandidimin e parë, duke dëshmuar se mbështetja për të shtrihet përtej skenës muzikore.

Adelina Thaçi Meta (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Mbetet të shihet se si do ta ndërthurë përvojën e saj artistike me angazhimin në jetën parlamentare, në një mandat që pritet të jetë sfidues për legjislaturën e re. /Telegrafi/