LAJMI I FUNDIT:

Kënga e Dan Derovcit dhe ligësia shqiptare

Kënga e Dan Derovcit dhe ligësia shqiptare

Nga: Adem Nimani

Askush nga rapsodët e gjallë që këndojnë sot nuk mund te thotë se është autor i tekstit të cilësdo rapsodi që këndon.

Pas publikimit të lajmit për miratimin e ligjit mbi të drejtën autoriale, sikur filloi njëfarë pështjellimin në mesin e shumë këngëtarëve dhe rapsodëve kosovarë. Shumica e rapsodëve menduan se duke ia shtuar ndonjë fjalë a varg rapsodisë a këngës që këndohet më shumë së një shekull, ajo mund të bëhet pronë e tij. Sado që ka këso pretendimesh, ato janë krejt të kota. Për këngët e njohura, si ato për Ahmet Delin, për Azem Galicën, Selman Kadrinë, Dan Derovcin e shumë të tjera të këtij rangu, askush nuk mund të pretendojë autorësinë për tekstet.

Ndodhë që rapsodi, tekstin e këngës së kopjuar në të shumtën e rasteve nuk e mban mend, e shumë herë i ndikuar edhe nga atmosfera që krijohet nëpër ahengje, ia shton ca vargje, ndonjë herë më të bukura e ndonjëherë të çoroditura që ia humbin vlerën tekstit fillestar. Për fat të keq, jo pak herë rapsodi as nuk ndien përgjegjësi për fjalën që ka shtuar apo ka hequr nga teksti i parë.

Në kohën e fundit, kur është folur për të drejtën autoriale dhe mbrojtjen e saj ligjore, disa rapsodë, edhe të njohur, i kanë mbledhur edhe nga 500 këngë dhe i kane botuar në libër duke theksuar se janë këngët e tyre.

Ka mendime se këngët për Ahmet Deline dhe Azem Bejtën i ka thurë e kënduar së pari Dervish Goxhuli, por kjo nuk mund të vërtetohet me asgjë. Madje, ka mendime se kur Dervishi e ka kënduar është kritikuar aty për aty në odë dhe se, pas vërejtjeve, ka shtuar vargje e emra të pjesëmarrësve te ngjarjes. Sepse, nëse kënga nuk i përgjigjej ngjarjes reale, nuk kalonte lehtë.

Rapsodët seriozë janë interesuar për tekstin e vjetër të këngës dhe janë përpjekur ta mësojnë si duhet, pa cenuar ngjarjen reale. Sot ka ndryshime e zgjatje te tekstit, qe nuk i përgjigjet ngjarjes. Për shembull, kënga për Selman Kadrinë apo ajo e Dan Derovcit kanë varg që vështirë mund të ndryshohet, pasi audienca e njeh përmbajtjen. Në po këto dy këngë ka edhe vargje që vështirë janë të besueshme e që nuk përputhën me ngjarjen të cilës i këndohet.

Shumë njerëz e duan folklorin, dëgjojnë këngë të thurura bukur, por fare pak kuptojnë çka po thotë rapsodi. Ka këngë në të cilat i këndohet trimërisë, burrërisë, dashurisë, por edhe tradhtisë e ligësisë – shumë herë edhe të miqve të shtëpisë, si te “Kënga e Dan Derovcit”. Kënga nisë më vargje në dukje të thjeshta, por në vazhdim kane përmbajtje të thellë nga e cila do duhej te nxirret mësim:

“Po ia knojmë këngën e Danit,
shumë zullum kem pas në kohën e kralit”.

Ose vargjet që autori anonim i nxjerr nga goja e Danit:

“Poreznikëve Dani çka u ka thanë,
dy javë vade u lutna me mi lanë!
Një penë kije në dimër i kam marr,
besën e Zotit j’au paqa dhanë.
E shes një ka e paret jua laj!”

Dani ishte i varfër dhe për t’u martuar shiti çdo gjë që kishte. Kështu e kushtëzoi miku. Për të punuar, mori një pendë kije për t’i mbajtur gjatë dimrit dhe, pastaj në pranverë (kur është shumë ma lehte me i mbajt, sepse del bari) sipas marrëveshjes duhej t’ia kthente të zotit.

“Mirë myhlet i paskan dhanë,
vraje Zot i kojshi tina ç’ban!
Poreznikeve çka u ka thanë
qysh myhlet Danit me i lanë
I ka paret s’po do me j’ua dhanë”!

Asokohe jetohej në varfëri të skajshme. Gjithë kjo sakrificë bëhej me një të vetmin qëllim: për ruajtjen e trashëgimisë dhe përtëritjen e familjes. Këta kije që i merrte si huazim personi i caktuar, nuk ka pas të drejtë t’i shesë. Duke qenë në këtë gjendje, “heroi” shfaq vullnetin të bëjë edhe këtë hap të mundshëm sakrifice. Në vargjet e mëposhtme, fqinji sikur i mëson “poreznikët” qysh ta ngushtojnë Danin më shumë:

“Me shkue ne shpi Danit me i thanë,
ose ke paret sot me i dhanë
ja teshat e grues kemi me t’i marr”!

Për ta nxitur plasjen e sherrit, mjafton një fjalë e ligë e fqinjit, me të cilën i vë në sprovë të gjithë pjesëmarrësit njëherësh. Së pari vihet në sprovë Dani, pastaj “poreznikët” (ishin tagrambledhës serbë, që i shoqëronte një shqiptar). Kur “poreznikët” i kishin dhënë afat dy javë, Danit, fqinji i mallkuar, me një fjali, rikthen të ligën duke e shndërruar në tragjedi.

Rapsodi anonim e njeh mirë personazhin të cilit ia ka kushtuar këngën dhe duket sikur jeton në shpirtin e tij kur e përshkruan daljen e Danit nga oda dhe gjëmën që bënë ai nëpër oborr, pasi duhet të vrasë njerëzit të cilët tashmë ishin ulur në odën e tij.

Ndoshta kjo rapsodi është ndër më të rëndat që njohim. Nuk ka edhe një varg që nuk meriton analizë të përmbajtjes që ruan në brendi.

Njohësit e kësaj teme e dinë mirë se si janë “shitur e blerë” femrat tona, sidomos në viset rurale. Kjo dukuri ka vazhduar për shekuj. Në këtë gjendje pati edhe rrëmbime (grabitje) të vajzave. Vargjet në vazhdim e dëshmojnë këtë dukuri:

“O i pa rod miku ish kanë,
O gja në derë nuk ma ka lanë”.

Ata njerëz që ishin të varfër e kishin zor të martoheshin, por edhe kur gjenin një vajzë, miku i ri kushtëzonte familjen e djalit për të blerë gjëra për të cilat nuk kishte mundësi. Shisnin zakonisht një lopë të vetme që kishin, apo edhe një pendë kije. Shisnin jo rrallë edhe arën e vetme të bukës, për t’ia plotësuar kërkesat familjes së vajzës dhe për të evituar përplasjen e mundshme, edhe me armë, që mund të rrezikonte me jetë familjet. Kështu i sapomartuari mbetej pa asnjë mundësi për të mbijetuar

Edhe autori i ka parë me sy këto raste. Hartoheshin lista të gjata të gjësendeve që duhet të blinte familja e djalit, e pak herë ose fare nuk merrej parasysh gjendja materiale. Duket theksuar se në disa raste këto kërkesa bëheshin edhe me qëllim që djali të detyrohet të heq dorë nga vajza, qoftë para martesës.

Në vazhdim, kur nusja dëgjon gjëmën e Danit nëpër oborr, ajo del më trime, më burrërore, dhe shumë më e mençur se familja e saj. Ajo ia thotë fjalët vendimtare të shoqit, para vrasjes që do të ndodhë në vazhdim:

“O pashë dinë Dan, pashë iman,
bane punën ashtu si t’i mendon.
Si të shkon mendja me ra në oxhak,
ta dhashë besën kam me t’ardh përmbas”

Pastaj vjen ligësia e fqinjit të afërm të Danit. Kush e njeh më mirë fqinjin se fqinji? Askush. Dhe, pikërisht këtu del e zeza e njohur shumëvjeçare:

“O i shoqi Danit me pa çka ban,
‘porezenikëve’ çka iu ka thanë,
o i ka parët s’po donë me j’au dhanë”.

Pastaj dalin spiunët”! Del tradhtia e dajës i cili shkon të “naçellniku” (kryeshefi i xhandarmërisë serbe) dhe prej tij kërkon pushkë me leje për ta vrarë nipin e vet, Danin:

“Nacallnikut çka i ka thanë
unë Danin muj me ua nxanë.
O djalë të motrës Danin e kam,
edhe pushkën ia kanë dhanë”,
drejt në mal të Dani po shkon”!

Daja e mashtron nipin dhe e qet në kurth. Nga malet e Ashlanit, i lodhur e i uritur, Dani që kishte vrarë tre “poreznikë”, vjen te daja në besë dhe po atë natë, para agimit, vritet nga xhandarmëria dhe daja i tij. Në atë përballje Dani vret dajën. /Telegrafi/