LAJMI I FUNDIT:

Kelmendi: Bizneset u goditen nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, qeveria inekzistente

Kelmendi: Bizneset u goditen nga pandemia dhe lufta në Ukrainë, qeveria inekzistente

Pandemia dhe lufta në Ukrainë i dhanë goditje të rëndë bizneseve kosovare. Këtë e pohon edhe pronari i “Elkos Group”, Ramiz Kelmendi, që deklaron se qeveria ishte inekzsitente gjatë kësaj periudhe të vështirë.

Në një intervistë për KosovaPress, ai flet edhe për largimin e të rinjve, mungesën e punëtorëve të kualifikuar dhe nevojën që të rriten pagat.


Kelmendi deklaron se gjatë periudhës së krizave, sukses për një kompani është edhe qëndrueshmëria.

“Kompania jonë është e madhe e që është e varur nga të gjitha ndryshimet që ndodhin në glob. Ishte pandemia e cila shkaktoi lëvizje të lirë të mallrave sidomos prej Kinës, bëri shtrenjtimin e transportit enorm dhe bëri që edhe qytetarët të ndihen të pasigurtë, të jenë të kufizuar në lëvizje dhe kjo ndikoi që të kemi inflacion monetar. Pastaj filloi lufta në Ukrainë, e cila është një prej hambarëve më të mëdhenj të ushqimit të Evropës, dhe na japi një goditje të fortë, sidomos të shtrenjtimit i gjërave ushqimore që janë shumë jetike për qytetarët, po ashtu jepi goditje edhe energjisë elektrike dhe mungesës saj, ka qenë eksportuese e fuqishme dhe po shihet që ndalja e rrymës na bëri edhe shtrenjtimin e energjisë elektrike… Por, suksesi në kohën e krizave është edhe qëndrueshmëria e njëjtë, lërë më që ne kemi një rritje 8 për qind me ekonomi të njëjtë, jo me pjesë të shtuara”, theksoi Kelmendi.

Sipas Kelmendit, qeveria në rastet siç ishte edhe pandemia dhe lufta në Ukrainë, nuk mendon fare për mbështetjen e sektorit privat.

“Qeveria në këto raste është inekzistente, nuk e ka në plan programin e saj mbështetjen e kompanive private dhe stabilitetin e tyre. E ka në vizion mbështetjen e qytetarëve me nevojë. I ka pas disa ndihma për punëtorët të cilët kanë qenë të cunguar pak, por në formë direkte nuk ka intervenuar, por fatmirësisht asnjëherë nuk jemi të varur nga qeveria, as nga donacionet e saj, për arsyeje se e kemi të bazuar qëndrueshmërinë tonë te konsumatorët dhe pozita e mirë e konsumatorëve të diasporës dhe këto ndihma që janë dhënë edhe për qytetarët e ndryshëm, ka ndikuar që ta mbajmë dhe të rritemi edhe përkundër faktit që ka pas krizë ekonomike dhe pandemisë”, tha Kelmendi.

Mes tjerash, Kelmendi kërkon edhe heqjen e taksave doganore me Shtetet e Bashkuara, pasi sipas tij, ka bërë të dëmtohen jashtëzakonisht shumë bizneset.

“Taksat kanë qenë dhe qëndrojnë më të mirat dhe më funksionale, por dogana dhe lëvizjet e çmimeve dhe mos heqja e doganës për miqtë tanë të SHBA-së ka pamundësuar jetikisht bashkëpunimin me ta. Mos heqja e doganës për materiale, shumicën prej prodhuesve fillestarë dhe disa prodhues të cilët nuk kanë arritur që në të kaluarën t’i heqin taksat doganore përmes lobimeve të ndryshme ka bërë të dëmtohen jashtëzakonisht shumë”, shton mes tjerash Kelmendi.

Sipas tij, Kosova po vuan për punëtorë të kualifikuar, që për këtë Kelmendi vlerëson se ka munguar ndërhyrja e qeverisë për shtimin e kuadrove që i nevojiten ekonomisë tregtare apo prodhuese në vend.

“Punëtorë të kualifikuar nuk kemi pas fare. Ne kemi punëtorë të arsimuar me fakultete dhe magjistratura të profesioneve që nuk mund të gjejnë punë deri sa të jenë gjallë. Ndërsa, profesionet që i nevojitën ekonomisë, si tregtarë apo prodhuese nuk kemi pas asnjëherë. Kemi juristë, ekonomistë, profile që për fat të keq janë duke marrë arsimim për të mos gjetur fare punë, për arsyeje se numri i tyre është i kufizuar. Po ashtu nuk kemi as profile të profesioneve profitabile dhe kjo ka ndikuar që ekonomia jonë të paguajë më shtrenjtë… Këtu ka munguar orientimi ekonomik dhe orientimi i qeverisë që ta orientojë apo ta gjejë financimin dhe kreditimin e gjithë atyre kuadrove që i nevojiten ekonomisë”, tha ai.

Kelmendi bën të ditur se në vitin 2023 kompania e tij do të shtojë numrin e punëtorëve, ndërkaq konsideron nevojën e rritjes së pagave për të gjithë punëtorët. Sipas tij, deri në vitin 2024 nuk duhet të ketë pagë më pak se 700 euro.

“Numri i punëtorëve do të shtohet konform rritjes së nevojës, mendoj se ka me pas nevojë për një ngritje të përformancës të çdo qytetari dhe të punësuari. Besimi që ne jemi duke punuar mjaftueshëm është i gabuar, ne jemi duke punuar por ndoshta jo mjaftueshëm… Nuk ishte dashur që deri në fund të vitit 2024 me qenë rroga më e vogël se 700 euro, e këtë duhet ta bëjmë ne, duhet ta kuptojmë që një i punësuar duhet të jetë i ekonomizuar në atë formë saqë në fund të vitit 2024 ta këtë së paku 700 që mundet të korrespondojë me gati gjysmën e pagës në Gjermani”, vijon Kelmendi.

Kelmendi shprehet i shqetësuar me ikjen e të rinjve nga vendi, derisa shpreson që viteve në vijim të ndalet trendi i largimit të tyre.

“Largimi i çdo njeriu prej Kosovës është humbje e pakompensueshme. Kur shoh rininë që të gjithë mburren më të, të gjithë krenohemi më të, jemi më të mirët dhe më punëtorët, por që kemi nevojë për organizim, jo me dalë jashtë vendit si punëtorë krahu, por me dalë sikur turistë dhe afaristë, duhet të kthehet dhe ndërtohet fondi për garantimin e kredive… Andaj, qeveria në këtë rast nuk ka nevojë të çojë rëndë, as të bëjë vrape fizike, por ka nevojë të dëgjojë dhe të përdorë shtresë intelektuale që e ka Kosova”, shton Kelmendi.

Ndryshe, kompania Elkos Group u themelua në vitin 1989 nga pronari i tanishëm Ramiz Kelmendi. Elkos Group filloi si një pikë e vogël tregtimi me shumicë në Pejë, për të vazhduar më tutje ndër vite me zgjerim në tërë territorin e Kosovës dhe në Rozhajë të Malit të Zi.

Në vitin 2000 u nënshkruan kontratat e para ndërkombëtare me markat e njohura si: Mondelez, Ferrero, Danone, Henkel, Lorenz, Manner, Pfanner, Ipsa, Philadelphia, Podravka, Stock, etj..

Nga një pikë e vogël tregtimi me shumicë, sot Elkos Group është distributori më i madh i autorizuar për rreth 90 marka ndërkombëtare në Kosovë. Sot në kuadër të Elkos Group hyjnë Qendrat Tregtare ETC (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal i Zi), Elkos Distribution, Elkos Agrar Center (Kosovë dhe Shqipëri), Elkos Center dhe Elkos Bowling. /kp/