Katër format e turizmit që mund ta çojnë Kosovën përpara, Hoti tregon potencialet

Kosova po forcon profilin e saj turistik falë disa zonave me potencial të jashtëzakonshëm kulturor, malor dhe shëndetësor.
Në “Përballje Podcast”, prodhim i Telegrafit e që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS, Baki Hoti nga Unioni i Turizmit të Kosovës theksoi se Prizreni mbetet qendra kryesore e turizmit kulturor.
“Ne në turizëm Prizrenin e quajmë kryeqytet… Andaj, ka një potencial të jashtëzakonshëm,” tha Hoti, duke nënvizuar rolin e qytetit në festivale, trashëgimi kulturore dhe atmosferën unike që tërheq vizitorë gjatë gjithë vitit.
Për turizmin malor, Hoti theksoi se edhe Rugova po shënon rritje të jashtëzakonshme.
“Tek pjesa e turizmit malor kemi pjesën e Rugovës… ku dita-ditës është duke shënuar numër rekord të vizitorëve,” u shpreh ai.
Sipas tij, ky zhvillim lidhet me aktivitetet e shumta në zonë që kanë bërë Rugovën një destinacion të qëndrueshëm për turistë vendas dhe ndërkombëtarë.
Hoti foli edhe për llojet e turizmit që Kosova mund t’i zhvillojë paralelisht, duke përfshirë turizmin shëndetësor dhe dentar.
Sipas tij, vendi ka një avantazh të madh në këtë drejtim.
“Çmimet janë shumë të lira. Standardi i ordinancave është tepër i lartë me krahasu me Evropë,” deklaroi ai.
Ai propozoi që turizmi dentar të shndërrohet në një pako të integruar turistike, duke kombinuar shërbimet shëndetësore me vizita në destinacione brenda Kosovës.
“Pse mos t’i ftojmë njerëzit me destinacion rregullimin e dhëmbëve dhe të qëndrojnë edhe ditë – ku do të shëtisin, do të hanë, do të pinë?” tha Hoti.
- YouTube www.youtube.com
Sipas tij, një paketë e tillë do të mund të sillte grupe nga jashtë vendit, duke u ofruar shërbime dentare me kosto që “nuk i bëhet as sa gjysma e kostos sa duhet me i rregullu dhëmbët në Gjermani.”
Hoti theksoi se me orientim të qartë, organizim dhe promovim profesional, Kosova mund të zhvillojë disa forma të turizmit njëkohësisht dhe të bëhet një destinacion konkurrues në rajon./Telegrafi/.


















































