Qeveria e Katarit, ka dënuar ashpër sulmin iranian me raketa mbi bazën ushtarake amerikane al-Udeid.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari ka shkruar në X: “Konsiderojmë shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të  Katarit, hapësirës së saj ajrore, ligjeve ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”.


Në anën tjetër, mbrojtja kundërajrore e Katarit ka arritur me sukses të parandalojë sulmin duke interceptuar dhe shkatërruar në ajër raketat iranianë që kishin shënjestruar bazën amerikane që ishte evakuuar më herët, transmeton Telegrafi.

“Të gjithë hapat e nevojshëm janë ndërmarrë për të rritur sigurinë e personelit të bazës ushtarake, përfshirë edhe anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit dhe forcave mike. Konfirmojnë se nuk ka të lënduar apo dëme materiale nga sulmi”, u tha ndër tjera.

Zëdhënësi gjithashtu theksoi se Katari rezervon të drejtën të kundërpërgjigjet, me të njëjtën shkallë të agresionit që i është bërë këtij vendi.

E Garda Revolucionare Iraniane ka njoftuar në një kumtesë për sulmin e organizuar. Në të thuhet se mesazhi i Iranit për Shtëpinë e Bardhë dhe aleatët e saj ishte i “qartë dhe eksplicit”.

“Irani nuk do të lejojë çfarëdo sulmi në integritetin e saj territorial, sovranitetin dhe sigurinë kombëtare”, u tha ndër tjera nga IRGC. /Telegrafi/