LAJMI I FUNDIT:

Kastrati: Një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi ‘përfitimi’ votën e tyre për buxhet

Kastrati: Një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi ‘përfitimi’ votën e tyre për buxhet
Qëndron Kastrati. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati në debatin “Jeta në Komunë” ka thënë që asambleja në Kamenicë për të dytën herë nuk po ia voton buxhetin për shkak që sipas tij ata po e shohin si mundësi përfitimi votën e tyre për buxhet.

“Sfida në komunat e vogla, po më vjen keq që po duhet me përmend publikisht po e shohin si projekt të rëndësishëm edhe e shohin si mundësi me përfitu diçka ose me blloku dikë. Në përgjithësi, një pjesë e Kuvendit Komunal e shohin si mundësi më përfitu diçka”, tha ai.


I pyetur se për çfarë ‘përfitimesh’ bëhet fjalë, Kastrati tha se janë kryesisht favoret për punësime.

“Fillon prej punësimit, që ka kërkesa duke përfshirë vetën edhe familjen e ngushtë deri tek mundësia me u blloku komuna fare vitin tjetër, sepse nëse nuk kalon buxheti deri në fund, deri në mars, pastaj nuk ka paga as për zyrtarët e komunës” , theksoi ai.

Në anën tjetër Afrim Dërvishi, asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha që një deklaratë e tillë e kryetarit lë të kuptohet se është koha të kërkohen favore.

“Nuk bën kështu me u qu edhe me thanë po kërkojnë favore sepse nuk kam përshtypje se më shumë po deklaron se është koha me kërku favore. Forma qysh është prezantu buxheti në këtë vit është e njëjtë me vitin e kaluar. Tash ky duhet me tregu cilat favore ua bëri vitin e kaluar kur ia aprovuan buxhetin në të njëjtën formë”, tha Dërvishi.

Tutje Dërvishi theksoi se LVV nuk ka kërkuar favore, duke shtuar se buxhetin nuk e kanë votuar për shkak të mungesës së objektivave.

“Asambleja e Kamenicës nuk e ka aprovu propozimin e kryetarit për buxhet. Nga ana jonë të garantoj 200 për qind se s’ka të bëjë me favore, ndërsa nën-komiteti për buxhet dhe financa që vepron në qendrën tonë i ka referu kryesisë dhe grupit parlamentar mos me votu në këtë formë, ky buxhet nuk ka objektiva prandaj është e vështirë ta votojmë” , tha ai.

Ndërsa, Besnik Rrudhani asamblist nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), tha që buxheti nuk është votuar për shkak të mungesën së listës së investimeve kapitale.

“LDK-ja nuk ka lypë favore, shumicën e rasteve kemi qenë konstruktiv në Kuvend. LDK nuk e ka aprovu buxhetin sepse nuk është sjellë lista e investimeve kapitale. Më 30 shtator ne nuk e kemi mar listën e investimeve kapitale të cilën qysh e ka prezantu, në ora 10:20 e ka pru një fletë A4 pa i precizu projektet”, ka thënë Rrudhani.

Mirëpo buxheti nuk është e vetmja temë e cila do të diskutohet në debatin ‘Jeta në Komunë’, Kastrati do të sfidohet me problemet që i ka shkaktuar riorganizimi i shkollave, mungesën e ujit, mungesën e kanalizimit, problemet e komunitetit serb si dhe problemet në shëndetësi./kallxo.com