LAJMI I FUNDIT:

A kanë strategji të politikës së jashtme Shqipnia e Kosova?

A kanë strategji të politikës së jashtme Shqipnia e Kosova?

Gati nji vit ma parë u kalua pothuajse pa vëmendje raportimi vjetor i ShISh-it në Parlament. I nxjerrun paligjshmërisht jashtë Parlamentit prej lojnave politike të mjeshtrave të familjeve sunduese të Republikës së “Aristokratëve” të Rinj, nuk pata mundësinë të lexoj versionin konfidencial të raportimit, por versioni publik ishte i mjaftueshëm për të ba me mendue dhe për të krye disa analiza thelbësore mbi “shëndetin” tonë shtetnor, nivelin e sigurisë, pozicionin e mjeruem ku ndodhet politika e brendshme dhe e jashtme e Shqipnisë.

Raportohej për aktivitete influencuese nga aktorë gjeopolitikë e rajonalë për të dëmtue proceset integruese euro-atlantike. Këta aktorë po ndikonin në paqëndrueshmërinë sociale, po pengonin ecurinë e reformave demokratike; synonin të damtonin kohezionin social dhe përmes investimeve në sektorë strategjikë të arrijnë rezultate afatgjatë gjeoekonomike, rritje të ndërvarësisë financiare, modulime të politikave. Raporti i kualifikon ndërhyrësit si aktorë globalë, kundërshtarë të orientimit properëndimor të vendeve të rajonit, të cilët, përmes aktiviteteve të inteligjencës dhe atyne hibride, synojnë të ndikojnë në vendimmarrje mbi zhvillime politike dhe të përçajnë qëndrimin e shtetit tonë në raport me organizmat ndërkombëtare. Thanun shkurt, e gjithë ajo çfarë ne e mendojmë, kur shikojmë çdo ditë se si lejohen të hapen drejt kahëve të kundërta me traditën kombëtare vektorët formativë të brezit të ri të Shqipnisë, nuk asht nji mirazh, por nji fenomen i vërtetë dekulturimi dhe çorientimi, qi përgatit terrenin për devijime nga strategjia e themelvanësve.


Pothuajse askush nuk e trajtoi në themel këtë raport alarmant të shërbimit inteligjent të vendit, pavarësisht se kjartazi proceset integruese gjenden të bllokueme, politika e jashtme merr kthesa të paprituna, investimet e turbullueme nëpër kanale të padukshme vërshojnë nga të katër anët, universitetet dhe kolegjet ndërrojnë pronarë pa prit dhe pa kujtu etj. Qeveria, përgjegjësja kryesore e ndërtimit të barrierave të sigurisë, që shmangin thyeshmërinë shtetnore, përforcojnë ngjizjen e realizueme me aq mundim nga Rilindasit, e privueme tanësisht nga përgjegjësia patriotike dhe misioni i përforcimit të identitetit nacional, ishte e interesueme që ky raport të kalonte nxitimthi, formalisht, në nji Parlament të gjymtuem ku s’ka ma za atdhetarësh të nji kohe. Pjesa tjetër, pa këllqet e nevojshme për të marrë përgjegjësi të njimendta kur cenohen interesa kaq themelore kombëtare, e ngatërrueme në brendësi me partizanë deviatorë të Arbnisë, nuk bzani. Media e madhe e kontrollueme po ashtu nga të njajtët komandantë, rrëshqiti edhe kësaj radhe, sikurse në çdo rast kur padronët urdhnohen nga kupola të mos guxojnë me gërga drekcat e plagëve, qi hapen në trungun iliro-dardan nga shigjetuesit.

Dhe pyetjet lindin vetvetiu: Cilët janë këta aktorë globalë, kundërshtarë të integrimit europian të Shqipnisë, qi orvatën të shtrijnë kambët e tyne të padukshme në politikën shqiptare? Si shpjegohet që mbas 109 viteve jetë shtetnore të themelueme me orientim nga perëndon dielli, ky vend nuk ka ndërtue qëndrueshmëri të mjaftueshme në identitetin europian dhe në orientimin e ekuilibruem të politikës së jashtme, sa të dridhet sërish nga depërtimet tronditëse të sundimtarëve autoritaristë dhe antishekullarë? A ka ky vend nji strategji kombëtare të pandryshueshme të përforcimit të kombit në Adriatik dhe Jon dhe të integrimit europian, duke ruajtun raportet normale me vendet lindore, pa lejue përulje në imponimin e programeve arsimore nacionale, depërtimet e shërbimeve të hueja në punët tona të brendshme dhe në linjat themelore të zhvillimit politik, parlamentar dhe partiak? Kur sheh se si i lëviz dora, këmba dhe goja kryeministrit të vendit, ose se si heshtin zotat e tjerë të pazot para orgjive qeveritare me satrapët, vërtet shkurajohesh. Por koha nuk asht për ta dorëzue Shqipninë shtetnore te të pamunduemit dhe të larguemit e nji kohe që s’mund të kthehet ma. Ndasitë që kanë mbyllun dikur me aq sakrifica rilindasit, nuk mund të lejohen të rihapen për shkak të karriges së uzurpatorëve korrupsionistë, që po e mbysin Lirinë dhe Arbninë me harbutërinë dhe etjen e tyne të shfrenueme për pushtet dhe para.

Po çfarë asht Shqipnia shtetnore? Në dijeninë e njerëzve që janë lindun dhe rritun këtu me dashuninë për atdheun, asht nji vend me tri besime fetare, i themeluem shtetnisht pas 500 viteve robni otomane, si nji popull i bashkuem mbi kujtimin skenderbegian të lirisë dhe vetëqeverisjes, si nji shtet laik, kushtetues, i balancuem nga pikëpamja krahinore dhe kulturore, asnjanës në pikëpamje të interesave rajonale, i europianizuem në pikëpamje institucionale dhe të legjislacionit; nji vend adriatikas, strategjikisht i orientuem nga Perëndimi dhe organizmat integrues të Europës së Bashkueme. Themeluesit e shtetit në Ditët e Mëdha të 1912, 1914, 1918, 1920, nën garancinë e fuqive të mëdha të kohës, e përcaktuen që në krye të herës se shteti shqiptar nuk do të kishte asnjiherë nji fe shtetnore, ndaj edhe në politikën e jashtme, trashëgimtarët e drejtimit politik të vendit do të duhej të kishin kujdes të posaçëm në ruajtjen e konsijancës së brendshme. Arkitektët themelues nuk ban gja tjetër, por veç vendosën në strukturën ndërtuese të Kushtetutës dhe të strategjisë politike, atë qi Pashko Vasa, Naim Frashëri dhe mendimtarët e hershëm shqiptarë kishin përcaktue: “Shqipëria asht vend europian dhe shqiptarët duhet ta drejtojnë vështrimin nga Perëndimi”. Kur u themelue shteti, qëllimi i etënve ka pas kenë: Shqipnia para çdo gjaje, shpëtimi i saj nga zgjedha e huej, lulëzimi i saj në çdo pikëpamje, kujdesi për unitetin e brendshëm dhe mbrojtja nga ndërhymjet e shteteve, që synojnë minimin e bashkimit përmes përçamjeve.

Jam lindë, rritë dhe formue në Shkodër, qendër kulture të vjetër dhe votër shqiptarizme, qytetin ku ma parë se askund tjetër në trojet shqiptare, Rilindja Kombëtare e ka pa të pangatërrueme dritën e diellit, përjetoi zhvillimin e vet paraprirës dhe marrëveshja e bashkëjetesës qytetare e shqiptarëve të dalë nga shtypja e gjatë, u klasifikue në kode jete në harmoni, respekt dhe Vllazni. U përkas për fat familjeve që i rivendosen në jetën shoqnore këto aksioma të bashkëjetesës, lirisë, zhvillimit arsimor, gjuhësor dhe kulturorë, nga fundi i shekullit XIX deri në pesë dekadat e para të shekullit XX, fillimisht nga Shkodra e më pas, pas themelimit të shtetit, nga kryeqyteti.

Andrra e etënve të Rilindjes ishte nji Shqipni e ripërtërime si shqiptare dhe jo e bastardueme. Aspirues të europianizimit, etërit tanë ditën ta reflektonin kodin qytetar në të gjithë Shqipninë shtetnore dhe etnike dhe ta kthenin këtë kod ndërtimor, në nji strukturë të politikës së brendshme dhe orientues të politikës së jashtme të shtetit të brishtë. Ky ishte programi i mendjendritunve. Në qëndrimin ndaj vendit që sundoi për 500 vite Shqipninë, nga vitet 1920, drejtimi politik i vendit ndoqi rrugën e respektimit të modelit qi ndërtoi udhëheqësi reformator Mustafa Kemal Ataturk, i cili kreu reformimin përshpejtuem dhe europianizues të vendit, qi dikur sundonte edhe Shqipninë, duke mbetun në histori si nji ndër shtetarët ma të ndritun dhe largpamës të epokës së tij. Për të përforcue shtyllat identitare të vendit në planin e politikës së brendshme kulturore dhe arsimore dhe në orientimin e politikës së jashtme, shteti madje themeloi në vitin 1931 Komitetin Pan-Europian, të përbame prej njërëzish të kulturuem dhe të papërkulshëm në mbrojtjen e orientimit strategjik si: Sotir Kolea, Karl Gurakuqi, Osman Myderrizi dhe Kol Mirdita. Ky Bord i Rojes së Arbnisë së Re shërbeu si garant i ruajtjes së kornizave identitare europiane në të gjitha fushat.

Pra, Shqipnia ka lindë dhe asht zhvillue në dekadat e para të jetës shtetërore, si nji vend me politikë nacionale të përcaktueme, por në 46 vitet e diktaturës këto qëllime u transformuen, ndërsa në 30 vitet e tranzicionet u përdorën për qëllime personale, pa u ripërtëri, duke u lanë në vyshkje, në deformim dhe keqinterpretim të udhëzimeve rilindase. Rrezja e dritës që depërtoi në fillim të viteve 1990 për pak kohë, u errësue gradualisht, pa mujtë me shijue frytet, për shkak të kaosit në mendim, veprim, ardhun prej interesave korruptive, injorancës dhe paragjykimeve formative të udhëheqësve. Ata nuk qenë të zot ta kuptojnë, ta kapin e ta ruejnë fillin e trashëgimit qi na kishin lanë arkitektët e para 1945. Kur u rrëzue busti i diktatorit, menduem se shpëtuem, por s’kishte pas qenë e thanun të jetojmë në qetësi e të gëzojmë frytin e përpjekjevet të prindërve tanë, të cilët u flijuen për nji copë Shqipni të lirë, europiane, laike dhe të bashkueme. Ma shumë për faj të njërëzve të babzitun, Shqipnija nuk pau ditë të mira në këto tre dekada. Shqiptarët nxorën shqiptarët jashtë. Sot, familjet shkodrane që krijuen Shqipninë kanë emigrue pa kthim dhe askush nuk bzan, askush nuk ka nji plan rekupe

rues mbi këtë krim kulturor dhe human, të kryem në heshtje dhe nën zgërdhimje zemërzinjsh, që sot i janë bashkue Rilindjes në zbritjen e frikshme të cilësisë së përfaqësisë së këtij komuniteti. Veprim antikombëtar dhe përçarës i tregtarëve të flamujve.

Mundimet dhe flijimet e mendimtarëve të mirë, brenda pak viteve u lanë mënjanë dhe të mykurit të dalë prej skutave qi vonë do u merret vesht shtysa, filluan të diktojnë “strategji” të reja, të improvizueme, kapërthime të heshtuna dhe të frikshme për pjesën e qytetnueme dhe perëndimizueme të shoqnisë shqiptare. Aq asht e vërtetë kjo sa frytet e këtyre ndërhymjeve fillestare krijuen rrethana të atilla çorientuese, sa ende sot nuk po shihet ndonji derë e hapun, ende nuk po fryn ndonji erë shpresëdhanëse për ne, për t’u integrue lirisht në kontinent si qytetarë të papenguem europianë, ndërkohë qi përditë e ma pak arbnorë mbetën në atdhe, ndërsa udhëheqësit partiakë godasin në mënyrë djallëzore, me pilotim enigmatik përfaqësitë e komuniteteve.

Politika e Jashtme, e cila si rregull ndjek qëllimet nacionale, në vitet e tranzicionit pësoi “mutacione” nga qëllimet fillestare, përcaktueme nga themeluesit. Këto mutacione ndodhën pas çdo lëvizjeje interesi personal të udhëheqësve të sajuem dhe shkollëpakë. Ndërkohë qi janë përplasun deri në vëllavrasje njeni me tjetrin, për çështje edhe të padobishme për interesin e shoqnisë, drejtuesit janë bashkue që më natë, fshehurazi, jo për të nderue nji komb mik, por për të ba zullume ndër qoshet e Liqenit të Tiranës, duke lajkue politikanë të përkohshëm të vendeve, me të cilat duam miqësi dhe reciprocitet, pa ndërhy në punët e brendshme.

30 vjet mbas britmave mbarëpopullore për Europën në Tiranë, shohim se kapluesit e sferës së drejtimit politik të vendit, ata qi zotnojnë kompetenca kushtetuese për ruajtjen e pozitës së Shqipnisë në sistemin ndërkombëtar në pajtim me qellimin që na kanë caktue paraardhësit, janë shndërrue në shkelës së premtimit dhe lajkatarë të buzëqeshun të sundimtarëve, qi nuk kanë asgja të përbashkët me lirinë dhe demokracinë, që mbasi kthyen mbrapsht në kohë vendin e tyre, po duan ta marrin zvarrë edhe Shqipninë me bosht të plasun.

Për fat të keq, ende ndër ne, njëlloj si në kohën kur Faik Konica nuk i duronte dot marrëzitë e mediokërve qi sundonin, disa, që gabimisht sot janë udhëheqës, nuk e kanë të zhvillueme mjaftueshëm frymën e indipendencës arbnore, ndjenjën e detyrës dhe përgjegjësisë kombëtare, kapacitetin shtetdrejtues dhe me një mijë mënyra duan sërish ta shndërrojnë Shqipninë në nji provincë perandorake, nji hapësinë të depërtimit të neootomanizmit në këtë anë të Europës Juglindore. Shqipnia nuk ka nevojë për Rojtarë të Rinj të saj derisa asht anëtare e NATO-s, aleate strategjike e SHBA dhe aspirante për në BE. Shqipnia dhe Kosova nuk mund të shndërrohen në segmente të të ashtuquajtunit “Brezi Shqiptar”, me të cilin dikush nga larg andërron me e përdorë për ta rrethue fqinjin tonë jugor. Dy vendet shqiptare, me mbi 6 milionë banorë, duhet të mendojnë vetëm për përforcimin e tyne identitar përbashkues me popullin me tri besime fetare, nën mbrojtjen e SHBA dhe NATO-s, përforcimin e ligjit në anët tona, përforcimin e sistemit shkollor shqiptar dhe unifikimit të legjislacionit. Modelet qi na kanë lanë themeluesit e shkollës shqiptare janë të mjaftueshme për këtë qellim dhe nuk mund të shkelen, duke interferue me programime mbrapakthehu.

Udhëheqësit duhet ta kenë të kjartë se në Shqipni nuk gjallojnë vetëm vullnetarë të idesë neootomane, politikanë të korruptuem, gjysmakë në edukim dhe identitet, por jemi edhe ne, arbnorët që u mbijetuam shtërngatave, trashëgimtarë të atyne qi vendosëm bashkërisht me 28 nëntor 1912 të ndërtojmë nji shtet shqiptar dhe europian për të gjithë, të distancuem nga lojnat e vjetra ballkanike dhe nga përdorimet e “sulltanëve” e “knanjëze”. Politika e jashtme e vendit tonë do të duhet të udhëhiqet nga interesat historike kombëtare, europiane, nga ideologjia albanianiste, që mban të bashkuem kombin. Po u hapën ndasitë që kanë mbyllë dikur me aq mund dhe sakrifica rilindasit, vendi ynë nuk ka me pasë të ardhme të qëndrueshme, ndërsa lojtarët e sotëm politikë do mbajnë barrën e futjes së vendit në aventura përçarëse.

Posaçërisht në nji vend si i yni, për shkak të veçantive formative, çdo vendimmarrje në fushën e politikës së jashtme do të duhet të kalojë përmes nji konsensusi të rreptë mes faktorëve kulturorë shtetformues, identifikimi i të cilëve vjen nga përfaqësia reale dhe jo nga të emnuemit e kryetarëve të partive, qi shpeshherë bien viktimë e ndërhyrjeve të aktorëve të jashtëm jomiqësorë, qi operojnë të lirë në vend dhe u fryjnë nga nji fjalë të vesh drejtuesve të përkulshëm dhe servilë. Vetëm në Shqipni gjen vendimmarrës në politiken e jashtme qi mendojnë, se janë të lirë për të dhanë verdikte themelore, pa respektue kufizimet dhe rregullat e përcaktueme brenda vendit nga konventat e brendshme themelvanese të shtetit. Politika e jashtme asht realizim i marrëdhënieve me shtete të tjera, me qëllim ruajtjen e pavarësisë dhe përshpejtimin e realizimit të interesave sociale, ekonomike dhe kulturore të popullsisë. A asht ky përkufizim aksiomatik i vlefshëm për politikën shqiptare? Unë mendoj se në dy vendet tona shqiptare ende nuk kena ngritë Ministritë e Jashtme dhe të Europës sikurse ngjashëm i kanë të ndërtueme vendet serioze, kojshi me ne.

Aktualisht, si në Shqipni, ashtu edhe në Kosovë, jemi duke pague haraçin e lanies së lirë të të babzitunve mendjekrymbun në lojën e tyne me kontrollorët e Lindjes, qi e kanë zhveshun vendin e vet nga tradita republikane e shtetit laik dhe demokratik dhe po kërkojnë që me nji mijë mënyra ta bajnë këtë edhe ndër dy shtetet tona shqiptare.

Në politikën e jashtme të secilit shtet ndikojnë rrethanat dhe faktorët qi e përcaktojnë pozitën e tij gjeopolitike, por edhe karakteristikat objektive të shtetit, pozita gjeopolitike, fuqia e tij, rregullimi dhe stabiliteti i tij i brendshëm, opinioni publik, grupet të ndryshme të presionit dhe interesave të tyre. Ndërkohë, shumëçka në vendimmarrje varet edhe nga raportet e politikës së brendshme, e cila për fat të keq asht jashtë binarëve kushtetues dhe demokratik.

Në Shqipni, vendimmarrësit, në vend qi me përforcue themelet e ndërtesës shtetnore, shtetin ligjor, Kushtetutën, konventat e marrëveshjes ndërshqiptare, sot po bajnë të kundërtën. Njilloj sikurse edhe politikat e brendshme edhe politika e jashtme e vendit tonë sot kontrollohet në prapaskenë nga nji grusht njerëzish të politikës dhe biznesit, të cilët kanë nxjerrë në plan të parë disa robotë, të cilët bajnë si kompetentë, por në thelb janë gjysmakë tinëzarë, shkelës të premtimit të etenve, kalorës të pastërvitun për detyrat, tipa që imitojnë me za të naltë udhëheqësit e vendeve qi i kanë marrë peng.

Janë të njajtët qi e kanë lanë Shqipërinë e pambrojtun nga depërtimi i gjithanshëm të fondacioneve jashtë kontrollit të Europës në sistemin e brendshëm shkollor, ndërkohë që shkolla shtetnore sa vjen e dobësohet dhe askush nuk premton dhe nuk programon, mbi kompetencë profesionale, rrugën, mbi të cilën do ecë sistemi arsimor shqiptar.

Politika e brendshme e vendit tonë asht e mbushun në polet e saj partiake me kurthe, intriga, urrejtje, të denja për t’u përshkrue dhe analizue nga shkrimtarët. Udhëheqësit, në mënyrë të koordinueme, mbasi kanë ndalun me nji pingpong të ndytë integrimin e Shqipnisë në Europë, sot po bajnë haptas hapa rrënimtarë drejt prishjes së konsensusit mbarëkombëtar në aspektin e vendimmarrjes mbi politikën e jashtme, e cila në asnji rast nuk mund të jetë vendimmarrje individësh. Ndërtimi me kujdes i nji përfaqësie parlamentare antieuropiane asht hapi i radhës i bablokëve, familjeve të tyne dhe kukullave qi aktrojnë me trashje zani.

Aspirantë të hartimit dhe zbatimit të politikës së jashtme, të rrethuem nga frika e mëkateve, të izoluem nga Europa, që kushtëzon me lirinë, ligjin dhe drejtësinë, po shohin si të vetmen rrugë shpëtimi, shndërrimin e Shqipnisë si nji zgjatim të shtetit të dikurshëm sundues, duke i hapun rrugën së panjohurës dhe prishjes së unitetit tonë të brendshëm, veprim ky që u bie tanësisht ndesh parimeve themelore të sovranitetit shtetnor, përkatësisë perëndimore të Shqipnisë dhe aspiratës arbnore për përforcim identitar të kombit në liri, vetëqeverisje sovrane, aleancë europiane.

Pas Luftës së Parë Botërore, kur Shqipnia po riformohej si shtet mes shumë ndërhymjeve të jashtme ku spikaste Italia, shqiptari ma i madh i kohës, Faik Konica, paralajmëronte se miqësia me italianët nuk duhej të ishte tepër e ngushtë dhe bante këtë përkufizim të politikës së jashtme për t’u ndjekun nga shteti: “Respekt për fqinjën e madhe Italinë, paanësi të kthjellët kundrejt çdo fuqie të huaj, që të mos mbetet shkak qarjeje kërkush; po miqësi të ngushtë dhe lidhje të rrezikshme me asnjë”. Sot jemi nji vend që gjindet në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare në kushte krejtësisht të tjera, por parimet themelore të nji politike të jashtme qi nuk cenojnë unitetin e brendshëm shqiptar, qëndrojnë, pavarësisht se kush vjen në krye të qeverive.

Kjo do të thotë se Shqipnia nuk mund të ndryshojë trajektoren europiane në pikëpamje strategjike sa herë kryeministrat kanë interesa personale; nuk mund të marrë anë në balancat e brishta në jug të Ballkanit, duke nënshkrue aleanca strategjike dypalëshe, ndërkohë që asht pjesë e NATO-s. Shqipnia nuk mund të lejojë prani ushtarake qoftë edhe simbolike të vendeve të përfshime në gërricje reciproke me fqinjët tanë të drejtpërdrejtë, aq më pak në portën e nji kanali të neutralizuem me konventë ndërkombëtare. Ndërkohë, sot, Italia dhe Greqia kanë shërbye si atdhe të dytë mikpritës për qindra mijëra shqiptarë, qi nxjerr jashtë çdo ditë Shqipnia e mjerueme nga matrapazët.

Në nji kohë që Italia shpreh në çdo rast dashamirësinë e saj për t’ia shtrí dorën Shqipnisë në amullinë e programueme nga familjet, marrëdhaniet me Greqinë asht e nevojshme të konsolidohen, duke mos hjekë dorë nga respektimi i të drejtave private të qytetarëve me nacionalitet shqiptar, me shtetësi greke të Epirit të Jugut, të nxjerrun jashtë në kohët e turbullta të mbas luftërave botërore. Dy vende të europianizueme duhet ta gjejnë rrugën për t’u marrë vesht edhe për njohjen e linjës së kahershme ndarëse, qi ka ekzistue në Kanalin e Korfuzit, pa pasun nevojë për të kalue në veprime të njianshme, që e cenojnë dhe tkurrin ma tej të drejtat historike iliro-epirote. Mbase Paria e Tiranës don me e kthye Shqipninë sërish në nji gur rrokullisës në lojën e madhe të tavllës ballkanike në përplasjen greko-turke, por atdheu ynë i ngratë nuk ka asnji lidhje të arsyeshme me këtë konflikt.

Atdheu ynë ka nji çështje përbashkuese, demokratizuese, laicizuese dhe albanizuese në tanësinë e vendbanimeve shqiptare ma themeloren për ta zgjidhë me saktësi dhe ruejtë me vendosmëni, pa kthye kryet me frikë as mbrapa dhe as anash. Për rrjedhojë, shteti ynë duhet të interesohet vetëm për përforcimin e politikës së brendshme dhe të jashtme si vend i dallueshëm i europianizuem, aleat strategjik i SHBA; nji Shqipni me të cilën ballkanikët duhet të bajnë llogarina pariteti, jo nënshtrimi; për mbrojtjen e interesave të shtetasve shqiptarë, zgjidhjen e ngatërresave të lanuna mbrapa nga historia në Epir dhe Jon, ruajtjen dhe konsolidimin e marrëdhënieve miqësore në mënyrë të barabartë me Greqinë dhe Turqinë, duke hequn çdo reminishencë të sjelljes së kohës së palavdishme të shërbimeve të individëve.