LAJMI I FUNDIT:

Kancelari austriak për masat e reja: Qytetarët nuk kanë vetëm të drejta, por edhe detyrime

Kancelari austriak për masat e reja: Qytetarët nuk kanë vetëm të drejta, por edhe detyrime

Në një intervistë për BBC-në, kancelari austriak Alexander Schallenberg ka folur për masat epidemiologjike në Austri që kanë hyrë në fuqi të hënën, si dhe vendimin për vendosjen e vaksinimit të detyrueshëm në këtë vend nga shkurti i vitit 2022.

Schallenberg theksoi se Austria nuk dëshironte të prezantonte këto lloj masash rigoroze, por se situata në terren thjesht i detyroi zyrtarët të miratonin masa të reja epidemiologjike.


“Shumë vende praktikojnë vaksinimin e detyrueshëm. Ne thjesht kemi 66 për qind të vaksinuar dhe kjo është shumë pak. Ne duam të thyejmë krijimin e vazhdueshëm të valëve të reja të virusit dhe mbylljen, dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është vaksinimi”, tha Schallenberg.

Në pyetjen e gazetarit nëse vendosja e vaksinimit të detyrueshëm kundër coronavirusit është e ligjshme, kancelari austriak theksoi se po.

“Po, është e ligjshme. Ne kemi pasur vaksinime të detyrueshme në të kaluarën dhe kjo nuk është asgjë e re. Më vjen keq që duhet të shkojmë në këtë mënyrë. Ne kemi pasur një fushatë aktive 10 mujore për të bindur banorët për rëndësinë e vaksinimit. Megjithatë , kemi ende një pjesë të popullsisë që refuzon vaksinimin dhe kemi edhe disa parti politike që flasin hapur kundër vaksinimit”, tha kancelarja.

Schallenberg theksoi se masat e reja epidemiologjike duhet të jenë një vendim “për të mirën më të madhe të të gjithë popullit të Austrisë”.

Austria ka futur masa të reja epidemiologjike që nga 22 nëntori, të cilat ndër të tjera do të përfshijnë mbylljen e plotë deri më 12 dhjetor. Të gjitha dyqanet, përveç farmacive dhe dyqaneve ushqimore, në këtë vend do të jenë të mbyllura për 20 ditët e ardhshme.

Në të gjitha ambientet e mbyllura publike po futet detyrimi për të mbajtur maskën FFP2, i cili vlen edhe për vendin e punës, ku ende zbatohet rregulli 3G, raportojnë mediat. /Telegrafi/