LAJMI I FUNDIT:

Kanadaja ka në plan të pranojë 1.2 milion emigrantë në tri vitet e ardhshme

Kanadaja ka në plan të pranojë 1.2 milion emigrantë në tri vitet e ardhshme

Kanadaja planifikon të sjellë më shumë se 1.2 milion emigrantë të rinj gjatë tre viteve të ardhshme.

Kështu ka thënë të premten ministri federal i imigracionit, ndërsa vendi përpiqet të mbushë boshllëqet në tregun e tij të punës dhe të nxisë ekonominë, të dyja të goditura rëndë nga pandemia e COVID-19 .


Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, duke folur para gazetarëve në Otava, ministri i Emigracionit, Marco Mendicino, tha se qeveria federale synon të pranojë 401,000 banorë të rinj të përhershëm në vitin 2021, 411,000 të tjerë në vitin 2022 dhe më pas 421,000 në vitin 2023.

Kanadaja ka nevojë për më shumë punëtorë, ka thënë ai, “dhe emigracioni është mënyra për të arritur këtë”.

“Para pandemisë, qëllimi i qeverisë sonë për të çuar ekonominë përpara përmes imigracionit ishte ambicioz. Tani është thjesht jetik” ,ka thënë më tej Mendicino, i cili paraqiti objektivat e rinj të imigracionit herët gjatë ditës.

Ndërkohë Robert Falconer, një studiues i politikave të refugjatëve dhe imigracionit në Shkollën e Politikave Publike të Universitetit të Calgary, shkroi në Twitter se të premten nëse qeveria përmbush qëllimet e saj, tre vitet e ardhshme do të jenë “vitet më të larta të regjistruara që nga viti 1911”.

Sistemi i imigracionit i Kanadasë është mbajtur prej kohësh si model, pasi historikisht ka sjellë punëtorë të aftë, si dhe refugjatë dhe individë që kërkojnë të ribashkohen me anëtarët e familjes tashmë në vend.

Vendi mbylli kufijtë e tij për shumicën e emigrantëve në mars për shkak të COVID-19.

Gjatë gushtit, vendi kishte strehuar 128,425 të sapoardhur, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters – më pak se gjysma e synimit prej 341,000 personash që kishte vendosur për vitin 2020. /Telegrafi/