Juventusi pëson humbje në shtëpi nga Benevento - zbehen edhe më shumë shanset për titull

Juventusi është mposhtur në shtëpi nga Benevento me rezultat 1-0 në kuadër të javës së 28-të në Serie A.
Pas vetëm katër minutash lojë, Zonja e Vjetër rrezikoi me anë të Cristiano Ronaldos, mirëpo portugezit i mungoi efikasiteti.
Më pas, ishte një moment i kontestueshëm (36’) për Biankonerët që kërkuan një penallti, mirëpo gjyqtari Rosario Abisso me ndihmën e VAR-it bëri me shenjë se nuk kishte lojë me dorë nga Daam Foulon i mysafirëve.
Ronaldo në minutën e 39-të shënoi gol, mirëpo ajo u anulua për shkak të pozitës jashtë loje.
Në 45 minutat e dytë, kampioni në fuqi u shokua nga Benevento që kaloi në epërsi.
Adolfo Gaicha (69’), pranoi topin nga një bashkëlojtar, duke shmangur mbrojtjen e Juventusit, për të shënuar për 1-0.
Vendasit filluan sulmet e njëpasnjëshme, derisa Fedrico Chiesa kërkoi penallti, por arbitri bëri me shenjë që loja të vazhdojë.
Lojtarët e Andrea Pirlos nuk ia dolën që së paku të merrnin një pikë nga ky takim, duke pësuar disfatë në shtëpi.
Pas javës së 28-të, Juventusi gjendet në vendin e tretë me 55 pikë, aq sa ka edhe Atalanta me një ndeshje më shumë të zhvilluar. /Telegrafi/


















































