Juventusi ka bërë një lëvizje të papritur, duke i ofruar një kontratë Antonio Pintusit, trajnerit aktual të përgatitjes fizike te Real Madridi. Sipas “Relevo”, drejtuesit e klubit bardhezi kanë nisur kontaktet me Pintusin në përpjekje për ta rikthyer në Torino, aty ku ai ka një të kaluar të lavdishme.  

Pintus ka qenë pjesë e Juventusit në periudhën 1991–1998, duke punuar me trajnerë si Giovanni Trapattoni, Marcelo Lippi dhe Didier Deschamps – kohë në të cilën klubi fitoi edhe Ligën e Kampionëve në vitin 1996. 


Në Madrid, e ardhmja e Pintusit mbetet e paqartë. Edhe pse është shumë i vlerësuar, klubi spanjoll synon t’i ofrojë atij një rol të ri – si koordinator i përgjithshëm i trajnerëve atletikë për të gjitha nivelet, nga Castilla deri te grupmoshat më të reja.  

ancelotti pintus

Me këtë plan, ai do të largohej nga stafi i parë i ekipit, të cilin aktualisht e drejton Carlo Ancelotti dhe që nga sezoni i ardhshëm mund të drejtohet nga Xabi Alonso. 

Pikërisht kjo hapësirë në rolin e tij aktual mund të shfrytëzohet nga Juventusi, që pas disa sezoneve të mbushura me dëmtime të shumta muskulore, po kërkon një rikonstruktim të stafit teknik.  

Marrja e një specialisti si Pintus, i njohur për profesionalizmin dhe rezultatet që ka sjellë në çdo klub ku ka punuar, shihet si hap i rëndësishëm për t’u rikthyer në nivelin më të lartë të konkurrencës. 

Përveç Juventusit dhe Real Madridit, Pintus ka qenë pjesë edhe e klubeve të mëdha si Chelsea, Inter, Monaco, Marseille, West Ham, Sunderland dhe Palermo.  

pintus

Ai ishte pjesë e stafit të Interit gjatë sezonit 2020/21, kur me Antonio Conten fituan Scudetton, duke thyer dominimin shumëvjeçar të Juventusit. 

Kjo lidhje me Conten është veçanërisht interesante, sepse në muajt e fundit kanë qarkulluar lajme të shumta për një rikthim të mundshëm të trajnerit të njohur italian te “Zonja e Vjetër”.  

Conte është përfolur si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Juventusit në sezonin e ardhshëm, pas largimit të Igor Tudor. 

Oferta për Pintusin mund të jetë më shumë se një përpjekje për të përmirësuar stafin mjekësor – mund të jetë një sinjal konkret për kthimin e një dysheje të suksesshme: Conte-Pintus.  

Conte Pintus

Dyshja ka punuar së bashku me sukses dhe e kanë shfaqur hapur vlerësimin për njëri-tjetrin. Conte besohet se ka kërkuar bashkëpunimin me Pintusin në çdo projekt të madh të karrierës së tij.

Figura të njohura të medias italiane, duke përfshirë Gianluca Di Marzio (Sky Sport Italia), Orazio Accomando (DAZN) dhe Alfredo Pedulla (Sportitalia), janë të bindur se Conte është tani zgjedhja e parë për Juventusin. /Telegrafi/  

telegrafi sport app