Jude Bellingham zbulon shenjën shokuese në shpatull pasi ylli i Real Madridit iu nënshtrua operacionit

Shkalla e operacionit që Jude Bellingham iu nënshtrua muajin korrik është bërë publike pasi një fotografi e mesfushorit të Real Madridit ka qarkulluar në rrjetet sociale.
22-vjeçari kreu një ndërhyrje të suksesshme kirurgjikale në Londër, për të zgjidhur një problem në shpatull që e kishte që nga nëntori i vitit 2023. Ai ishte dëmtuar rëndë në ndeshjen e La Ligës kundër Rayo Vallecanos, por për disa muaj zgjodhi të vononte operimin, duke luajtur me shpatullën e fashuar për të mos humbur ndeshje të rëndësishme. “Jam lodhur duke luajtur me fashë”, kishte pranuar ai gjatë verës.
Bellingham tashmë është parë publikisht me fashë, por për herë të parë fansat panë qartë shenjën e madhe të operacionit kur ai pozoi me dy vajza të vogla, duke veshur një jelek sportiv. Shenja shtrihet përgjatë pjesës më të madhe të shpatullës së tij të djathtë.
Në një postim në Instagram pas ndërhyrjes, lojtari falënderoi kirurgët Andrew Wallace dhe Susan Alexander, ekipin e tyre në Klinikën Fortius, si dhe mjekët Ivan Ortega dhe Dr. Leyes që udhëtuan për ta mbështetur.
Rehabilitimi i Bellingham pritet të zgjasë tre deri në katër muaj. Kjo do të thotë se ai mund të rikthehet në fushë në mesin ose fundin e tetorit, me mundësinë që të mungojë deri në fund të nëntorit nëse procesi i shërimit zgjatet.
Mesfushori do të humbasë të paktën tetë ndeshje të La Ligës, dy takimet e para të Ligës së Kampionëve dhe me shumë gjasë edhe dy pushimet ndërkombëtare të Anglisë në shtator dhe tetor. Një datë e mundshme për rikthimin e tij është sfida e Real Madridit kundër Getafes më 19 tetor.
Bellingham, i cili sezonin e kaluar shënoi 14 gola dhe dha 14 asistime në të gjitha garat, ishte pjesë kyçe e suksesit të Real Madridit, duke u përfshirë në Ekipin e Sezonit të La Ligës dhe duke fituar çmimin “Lojtari i Sezonit” në vitin e tij të parë në Spanjë. /Telegrafi/





















































