Joe Jonas dhe Sophie Turner ribashkohen në New York

Joe Jonas dhe Sophie Turner janë parë sërish bashkë në publik, duke treguar se marrëdhënia e tyre pas divorcit është përmirësuar ndjeshëm.
Dyshja, të cilët kanë kaluar një betejë të vështirë për kujdestarinë e vajzave të tyre pas ndarjes në vitin 2023, u panë duke biseduar miqësisht në rrugët e New York-ut, në një video që po qarkullon në TikTok.
Ky ribashkim vjen në një kohë kur po qarkullojnë zëra për ndarjen e Sophie nga i dashuri i saj, Peregrine Pearson, shkruan DailyMail.
Edhe pse nuk shoqëroheshin nga vajzat e tyre, Willa dhe Delphine, prania e përzemërt e njëri-tjetrit u përshëndet nga fansat si një shenjë e bashkëprindërimit të shëndetshëm.
Pavarësisht divorcit dramatik dhe padisë për rrëmbim fëmijësh që Sophie ngriti vitin e kaluar, marrëdhënia mes tyre duket se është stabilizuar.
Në fakt, Sophie ka promovuar së fundmi albumin e ri të Joe-t, ndërsa ky i fundit e ka quajtur atë “një nënë të jashtëzakonshme” dhe ka theksuar rëndësinë e prindërimit të përbashkët.
Çifti dikur i dashur i showbiz-it, i cili u martua në 2019 dhe u nda katër vjet më vonë, po tregon se edhe pas një fundi të vështirë martese, respekti dhe bashkëpunimi mund të mbijetojnë për hir të fëmijëve. /Telegrafi/






























































