LAJMI I FUNDIT:

Jeton Svirca: Koalicioni me LDK-në është koalicion i shpresës

Jeton Svirca: Koalicioni me LDK-në është koalicion i shpresës

Jeton Svirca, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga koalicion parazgjedhor LDK-AKR, ka zhvilluar një tubim me qytetarët e Prishtinës.

Në këtë tubim Svirca paraqiti objektivat e koalicionit për qeverinë e ardhme që do të formohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me partnerë.

Ai theksoi se do të jetë zë i fuqishëm i drejtësisë për qytetarët e Kosovës, i zhvillimit ekonomik dhe i rritjes së mirëqenies së tyre përmes angazhimit të tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.

Svirca potencoi se “është obligim i yni që të ndërtojmë platformë politike e cila do t’i përmbush nevojat e qytetarëve si ato ekonomike, arsimore, shëndetësore e kulturore dhe jo të paraqesim demagogji politike me teza të improvizuara”.

“Fillimi i ri mund të ndodhë vetëm më ndryshim të madh të qeverisjes, ky ndryshim i madh nuk mund të bëhet prej atyre që janë lodhur duke u përpjekur të nisin fillimin e ri me njerëz dhe metoda të vjetra. Prandaj ndryshimi jemi ne, dhe jo të tjerët”, potencoi Svirca në vazhdim.

Në të njëjtën kohë, Svirca, theksoi se “Koalicioni i lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës është koalicion i shpresës për zgjedhje qendrore që do të kurorëzohet me fitore dhe ne të njëjtën kohë është shpresë për fitoren e radhës së këtij koalicioni që do të kurorëzohet me fitoren e Prishtinës në zgjedhjet lokale”.

“Prishtina është e jona dhe ne do ta rikthejmë drejtë suksesit ashtu siç do ta rikthejmë Qeverinë e Republikës së Kosovës”, përfundoi Svirca.

Jeton Svirca, ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovë gjatë mandatit 2010-2014, dhe tani rikandidohet si pjesë e koalicionit LDK-AKR.