LAJMI I FUNDIT:

Jeta nën stigmën e dhunimit dhe pensionit të pamjaftueshëm nga shteti

Jeta nën stigmën e dhunimit dhe pensionit të pamjaftueshëm nga shteti

Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, për më shumë se dy dekada kanë luftuar që t’u njihet statusi i viktimës, por që kur ka nisur procesi i verifikimit, shumë prej tyre kanë marrë statusin dhe një pension që nuk mjafton për nevojat e tyre, sidomos ato shëndetësore.

Mes vuajtjes për plagët në trup dhe shpirt, L.N, pret dëshpërueshëm çdo fund muaji për ta marrë pensionin e saj. Por shuma prej 230 eurosh që i merr si viktimë e dhunës seksuale në luftë nuk ia mbulojnë as për së afërmi shpenzimet e saj.


Ajo thotë se me këtë pension arrin t’i mbulojë disi shpenzimet e ushqimit për vete dhe familjen, por jo edhe për ilaçe.

“Ata mendojnë që ato 230 euro na mjaftojnë, por jo”, thotë ajo.

Në vitin 2014, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj që ua njeh statusin të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë. Ndërsa në vitin 2017, Qeveria ngriti një Komision për të verifikuar aplikacionet dhe u jep atyre statusin e viktimës.

Por L.N, thotë se sfida më e madhe për të është qasja në shërbime mjekësore.

Koha e luftës u ka sjellë pasoja të mëdha shëndetësore, por edhe paslufta ka vazhduar të jetë betejë tjetër për viktimat si L.N, që përballen me stigmatizimin, traumat dhe luftën për mbijetesë.

Mirlinda Sada, udhëheqëse e organizatës “Medica Gjakova”, një OJQ që ofron përkrahje shëndetësore dhe ekonomike për viktimat e dhunës seksuale të kohës së luftës në Gjakovë, thotë se po udhëheq një projekt që ofron mbështetje të specializuar shëndetësore për stafin mjekësor që do të punojë me këtë kategori të viktimave.

“Për momentin, janë duke u trajnuar 16 mjekë dhe teknikë mjekësorë për t’i trajnuar më pas edhe 100 mjekë e infermierë të tjerë, në mënyrë që ata të avancohen në trajtimin e viktimave të dhunës në baza gjinore dhe atyre të dhunës seksuale gjatë luftës”, thotë Sada.

Bazuar në të dhënat e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale në Luftë, 1,351 persona kanë aplikuar për verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë.

Nga ky numër, deri tani janë trajtuar 1,133 raste dhe prej tyre, 892 kanë fituar statusin, 241 aplikues janë refuzuar, ndërsa 148 viktima janë në pritje të shqyrtimit të aplikacioneve të tyre.

Komisioni qeveritar ka dizajnuar një skemë e cila është projektuar për të mbrojtur identitetin e aplikuesve gjatë shqyrtimit të aplikimeve, duke u caktuar kode aplikimeve të tyre. Megjithatë, në të shumtën e rasteve, viktimat thirren për sqarime shtesë gjatë procesit të verifikimit të statusit të tyre.

Në shumicën e rasteve, komisioni kërkon raporte mjekësore nga viktimat, sidomos për ato që nuk janë regjistruar më parë si viktima lufte.

Megjithatë, deri tani shumë viktima kanë hezituar të aplikojnë për këtë status.

Veprore Shehu, udhëheqëse e organizatës “Medica Kosova”, një OJQ që gjithashtu ofron përkrahje shëndetësore e ekonomike për viktimat e dhunës seksuale thotë se shumë viktima hezitojnë të aplikojnë. “Problemi është ende te numri i madh i viktimave që hezitojnë të aplikojnë. Ne duhet të përpiqemi të inkurajojmë më shumë viktima për të aplikuar”, thotë Shehu.

Procesi i verifikimit për statusin e viktimës së dhunës seksuale që u mundëson viktimave të marrin një pension nuk ofron përfitime të mëtejshme dhe nuk i jep statusin e viktimës atyre që kanë vdekur si rezultat i dhunimit në kohën e luftës apo që më pas kanë kryer vetëvrasje.

Bazuar në skemën aktuale të pensioneve për viktimat e dhunës seksuale ato nuk kanë beneficionet e njëjta me viktimat tjera të luftës.

Përfitimet kryesore që viktimat e tjera të luftës marrin janë: pensione familjare, shërbim shëndetësor falas, përparësi në punësim, si dhe lirim nga taksat gjyqësore, taksat administrative publike, përfshirë edhe tatimet pronësore.

Një problem tjetër sipas Shehut është se procesi i verifikimit shpesh është traumatik për viktimat. “Shpesh po kërkohen dokumente shtesë për të mbështetur ngjarjen e përshkruar në formularin e aplikimit dhe ato shpesh kanë  mungesë të mbështetjes së ngjarjes me ndonjë dokument mjekësor apo raport psikologjik”, thotë ajo.

Viktimat, sidomos ato nga zonat rurale, po hasin vështirësi që të sigurojnë nga qendrat mjekësore që u krijuan për refugjatët në Shqipëri, Maqedoni ose Mal të Zi pas dëbimit të tyre nga shtëpitë, dokumente që vërtetojnë se kanë marrë trajtim mjekësor si rezultat i dhunimit.

Shehu thotë se viktimat që nuk kërkuan trajtim ose nuk kanë ndonjë raport mjekësor, rrezikojnë që kërkesat e tyre t’u refuzohen.

“Marrja e statusit ka bërë që viktimat të zbulohen nga familjarët, sepse ato duhet të tregojnë si po i marrin ato 230 euro. Ato që vazhdojnë ta mbajnë sekret dhunimin nga burri ose fëmijët nuk aplikojnë fare”, thotë L.N.  / Diellza Hoxha dhe Sanie Gashi Mehmeti/

Ky shkrim është produkt i trajnimit online për raportim gazetaresk në fushën e Ballafaqimit me të Kaluarën (BmK) /Gazetaria e sensibilizuar për konflikte, implementuar nga forumZFD-Programi në Kosovë. Pikëpamjet e shprehura në këtë shkrim janë përgjegjësi e autorit dhe ato në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë pikëpamjet e forumZFD.

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori