“Askush s’duhet të dorëzohet sepse jeta ka një qëllim: të jetohet. Prandaj jemi në këtë tokë, për të jetuar dhe për të mos u dorëzuar!” – thotë Flamur Bala.

Aftësitë ndryshe, që në lindje, nuk e kanë penguar të bëjë një jetë normale Flamur Balën. Përkundrazi, 30-vjeçari ka ndihmuar personat me aftësi të kufizuara që duan të vozisin makinën.

Ajo që nisi si domosdoshmëri personale, është kthyer sot në zanatin e Flamur Balës.

“Duke qenë se kisha problemin tim fizik, e ktheva këtë fatkeqësi në inspirim për jetën”, tregon Flamur Bala për Deutsche Welle.

Vëllain e vogël, Flamuri e ka krahë të djathtë. Ai e ndihmon për ndërrimin e pajisjeve të makinave si dhe siguron klientëlën, kryesisht përmes rrjeteve sociale.

Përtej punë përditshmëria e Flamurit është plot sfida e peripeci. Ato nisin sapo ai del nga shtëpia.

“Një nga vështirësitë më të madha për mua në qytetin tim të Durrësit është mungesa e trotuareve të përshtatshme. Një pjesë shumë e vogël e qytetit ka rampa. Gjërat kanë filluar të lëvizin por shumë ngadalë. Me hapa breshke”, shton më tej Flamuri.

Flamuri ka zgjedhur që të mos viktimizohet për fatin e tij./Deutsche Welle