JD Vance: Kritikat ndaj Netanyahut nuk janë antisemitizëm


Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike amerikane pas deklaratave të tij lidhur me kritikat ndaj politikave të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Ai deklaroi se nuk është e saktë që çdo kritikë ndaj vendimeve politike të Netanyahut duhet të konsiderohet antisemitizëm.
“Thjesht nuk është e vërtetë që çdo kritikë ndaj vendimeve politike të Bibi Netanyahut çon në antisemitizëm ose është antisemitike”, u shpreh 41-vjeçari.
"Kjo nuk është një taktikë e re, por është një veprim i planifikuar. Kjo ka rëndësi. Ajo sinjalizon se lobimi izraelit po hyn në një fazë të vështirë", shtoi ai.
Deklarata e tij është interpretuar nga disa analistë si një ndryshim në mënyrën se si disa figura të larta politike amerikane po trajtojnë debatin rreth Izraelit dhe politikave të qeverisë së tij.
Mbështetësit e kësaj qasjeje argumentojnë se kritikat ndaj vendimeve të një qeverie nuk duhet të ngatërrohen automatikisht me urrejtjen ndaj një populli apo feje, ndërsa kundërshtarët paralajmërojnë se disa deklarata mund të përdoren për të normalizuar retorika të rrezikshme.
Çështja ka hapur një debat të gjerë në SHBA për kufirin mes kritikës politike ndaj qeverisë izraelite dhe akuzave për antisemitizëm, një temë që ka qenë veçanërisht e ndjeshme gjatë luftës në Gaza.
Deklaratat e Vance vijnë në një kohë kur politika amerikane ndaj Lindjes së Mesme po përballet me presione të mëdha, ndërsa brenda SHBA-së vazhdon debati mbi rolin e aleancës me Izraelin dhe ndikimin e grupeve të ndryshme të interesit në politikën e jashtme amerikane. /Telegrafi/


































