LAJMI I FUNDIT:

Java Botërore e Ndërmarrësisë (GEW) shënohet në Kosovë për të nëntin vit

Java Botërore e Ndërmarrësisë (GEW) shënohet në Kosovë për të nëntin vit

Për të nëntin vit me radhë, mbi 50 organizata dhe institucione partnere, me më shumë se 70 aktivitete, shënojnë Javën Botërore të Ndërmarrësisë në Kosovë.

Ceremonia zyrtare e hapjes së GEW, mbahet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, të hënën [8 nëntor] prej orës 10:00, si bashkë-organizim i ICK-së dhe Odës Ekonomike Amerikane. Në këtë ceremoni do të transmetohet video mesazhi i presidentes Vjosa Osmani, ndërsa të pranishëm do të jenë edhe ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të SHBA-së, Nicholas J. Giacobbe, ushtruesja e detyrës së Ambasadores së Suedisë, Nasrin Pourghazian, shefi i Zyrës së BERZH-it, Neil Taylor, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka si dhe Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së dhe nikoqir i Javës Botëroe të Ndërmarrësisë.


Java Botërore e Ndërmarrësisë është ngjarja më e madhe festive e ndërmarrësisë në botë, e cila bën bashkë ndërmarrës, inovatorë, punëdhënës dhe akterë tjerë, që për qëllim kanë zhvillimin e ideve të reja, krijimin e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies dhe zhvillimin ekonomik.

Përgjatë një jave në muajin nëntor, GEW promovon ndërmarrësinë nëpërmjet aktiviteteve lokale nëpër shtete të ndryshme, të dizajnuara për të vënë në pah potencialin e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve. Aktivitetet variojnë nga garat, takimet kokë më kokë, prezantimet, trajnimet profesionale, rrjetëzimet, mentorimet, aktivitetet sociale dhe ligjëratat nga mysafirë të mirënjohur të fushës.

GEW është më shumë sesa një kampanjë vetëdijësuese. GEW është platformë për ndërlidhje dhe bashkëpunim ndër shtetëror, me qëllim të forcimit të ekosistemit botëror në fushën e ndërmarrësisë.

“Këtë vit kjo javë, ka qëllimin edhe më domethënës kur kemi parasysh sfidat nëpër të cilat po kalojnë ndërmarrësit edhe karshi gjendjes pandemike në mbarë botën. Për të tejkaluar sadopak këtë situatë jo të lehtë, bizneset dhe komuniteti duhet të qëndrojnë të bashkuar dhe të ndihmojnë njëri tjetrin, dhe pikërisht GEW Kosova është një platformë që e mundëson këtë. Është kënaqësi që shohim një numër të madh aktivitetesh dhe përkrahësish të angazhuar në këtë javë, duke synuar që të rrisin shpresën për ditë më të mira dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, është shprehur Begu.

Organizatat partnere që organizojnë aktivitete të ndryshme prej 8-14 nëntor, përfshijnë American Chamber of Commerce in Kosovo, Kolegji AAB, American School of Kosova, Balkan Green Foundation, Business Consultants Council, Cacttus Education, Coca-Cola HBC Kosova, EFSE Entrepreneurship Academy, Shkolla Finlandeze, 4-H Kosova, GERMIN, GlobalGirl Media Kosova, Jakova Innovation Center, Kosovo American Education Fund – KAEF, KDWV Kosovarisch-Deutsche Wirtschaftsvereinigung, Keiretsu Forum, Kosova Live, Kosova Education Center – KEC (ASSET program), KUSA, MDA Foundation, Melita & Partners, Embassy of the Netherlands in Kosovo, Oda Ekonomike Zvicërano-Kosovare, RIT Kosovo, Rrjeti i Shitësve me Pakicë, She Inspires, STIKK Kosovo ICT Association, TEB SHA, Kolegji Universum, UN Women Kosovo, UNDP Kosovo dhe Telegrafi.com si media partner.

Që nga vit 2013, Innovation Centre Kosovo është nikoqir zyrtar i GEW për Kosovën. Qëllimi i GEW Kosova është motivimi i të rinjve për të konsideruar ndërmarrësinë si rrugën e tyre të së ardhmes. GEW Global dhe GEW Kosova punojnë bashkë në krijimin e rrjetit të organizatave partnere dhe komunitetit të liderëve lokal, si promotorë të përhershëm të vlerave të GEW, përgjatë tërë kohës. GEW po ashtu shërben si platformë për lidhjen e ndërmarrësve të rinj dhe inovatorëve të Kosovës me ndërmarrës, partnerë dhe investitorë potencial.

Në 180 shtete Java Botërore e Ndërmarrësisë shënohet prej 8-14 nëntor, me mbi 10 milionë pjesëmarrës e mijëra aktivitete. Kjo javë shënohet edhe në Kosovë, me mbi 70 aktivitete dhe 50 organizata e institucione partnere.

Java Botërore e Ndërmarrësisë (GEW) në Kosovë mbështetet nga Ambasada e Suedisë, EBRD Star Venture, Zyra e Presidentes, Ambasada e SHBA-ve, USAID Compete Activity dhe GIST. /Telegrafi/