Jashari mori Drenicën kur ajo pas 5 ndeshjeve të zhvilluara kishte vetëm 3 pikë dhe gjendej në fund të tabelës, ndërsa sot ka 20 pikë dhe radhitet në vendin e katërt. Ai nuk po pyet as për licenca as për trajner me emra dhe nuk e ka ndërmend të ndalet. “Unë jam rritur në këtë klub dhe e dua me zemër. Sikur të kisha mundësi, kurrë asnjëherë nuk kisha lejuar që ai të humb. Asnjëherë nuk dua që tifozët e Drenicës të dalin të zhgënjyer nga stadiumi, kjo edhe ka bërë që të kemi sukses”, tha Jashari. Trajneri drenicas e ka pranuar se nuk ka licencë, por ajo nuk do të thotë të jesh i suksesshëm.

“Licencën duhet ta ketë çdo trajner. Edhe unë do ta kem, por në kohën kur kolegët e mi i kanë marr unë kam qenë me shëndet jo të mirë dhe kjo më ka penguar. Unë kam ndjekur shumë kurse dhe trajnime dhe gjëja vetme që më mungon është licenca, të cilën së shpejti do ta marr. Unë nuk e kam ndërmend që vetëm tashti të merrem me zejen e trajnerit, por shumë e shumë gjatë. Ky është profesioni im dhe mendoj gjatë të merrem me këtë zeje”, tha tekniku “kuqezi” i cili suksesin e tij nuk e sheh tek licenca por te puna e tij. “Unë nuk dua të flas për askënd, e as për punën e licencave.


Ajo që më intereson mua është puna. Unë kam besuar shumë te kjo skuadër dhe te këta djelmosha dhe për këtë arsye kam pranuar të marr nën drejtim ekipin. Ai besim dhe puna me djersë na ka sjellë deri këtu”, tha trajneri kuqezi. “Deri kur do të vazhdojmë kështu nuk e di. Ajo që them me bindje është se do të punojmë maksimalisht për të vazhduar kështu”, tha në vazhdim Jashari.

Licencë për të udhëhequr ekip të Superligës nuk ka as ai i Trepçës, Sheremet Isufi. Isufi po vlerësohet për punën e tij, por mungon suksesi që e ka arritur Jashari. “Gjithsesi, ajo që mund të them pa dashur të nënçmoj askënd, kriteret për marrjen e këtyre licencave janë shumë të buta. Unë mendoj se duhet shumë më shumë punë për ta marr atë licencë.

Tek e fundit suksesi fshihet pas punës e jo licencës”, përfundoi Jashari. Angazhimin nëpër klubet e tyre edhe pse pa licencë, si Jasharit e po ashtu edhe Isufit, ua ka mundësuar një rregullore, sipas së cilës një trajner pa licencë mund të ulet në bankinën e ndonjë klubi elitë, nëse ai është nga ai klub, pra që është kuadro i atij klubi. /Zëri/Telegrafi/ 

telegrafi sport app