LAJMI I FUNDIT:

Japonezi i punësuar në Baletin e Maqedonisë, tre muaj pa rrogë (Foto)

Japonezi i punësuar në Baletin e Maqedonisë, tre muaj pa rrogë (Foto)

Kento Terashita është japonezi i cili ka kontratë pune me Operën dhe Baletin Kombëtar të Maqedonisë (OBM), mirëpo për tre muaj nuk ka marrë aspak rrogë.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, ai kërkon nga miqtë e tij që ta këshillojnë dhe ta ndihmojnë, pasi siç thotë, në Maqedoni është i vetëm dhe nuk e di se si do të dalë nga kjo situatë, pasi ndodhet në gjendje të vështirë financiare.


“Të dashur shokë, më duhet ndihma juaj. Jam duke punuar në Baletin Kombëtar të Maqedonisë, por ata nuk më kanë paguar për 3 muaj. Situata ime është vërtetë e keqe, për shkak të këtij problemi. Unë nuk kam para dhe nuk mund të blejë as ujë e as bukë”, shkruan Kento Terashita, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ai më tej shton se përveç këtyre problemeve, ka pësuar edhe lëndim dhe duhet menjëherë të merr trajtim mjekësor, por për shkak të gjendjes financiare nuk mund ta bëjë këtë gjë.

“Në kontratën time shkruan se “më datën 15 të çdo muaji unë do të marr rrogë” dhe unë e pranova këtë kontratë dhe vendosa të punojë këtu. Por ata nuk veprojnë kështu. Ky problem nuk është për herë të parë, problemin me paratë e kam pasur disa herë. Nuk besoj se kjo është një kompani profesionale? Ky nuk është një teatër kombëtar? A është normale kjo në Maqedoni? Jam shumë i zhgënjyer”, thotë Kento Terashita.

Ai thotë se ka kërkuar shpjegim për situatën e tij, ndërsa nga OBM i janë përgjigjur se problemi qëndron në ministri./Telegrafi/

Ngjarjen e plotë të japonezit mund ta lexoni më poshtë: