LAJMI I FUNDIT:

Japonezët, 300 mijë dollarë për antikorrupsionin

Japonezët, 300 mijë dollarë për antikorrupsionin

Agjencia Antikorrupsion stimulohet përmes një projekti në vlerë 300 mijë euro, mjete këto të ndara nga Qeveria japoneze, përmes Programit të Kombeve të Bashkuara për Projekt-dokumenti “Partneriteti kosovar për antkorrupsion” është nënshkruar sot nga përfaqësuesi i Ambasadës së Japonisë në Vjenë, Tatsuhiko Ichihara, Drejtori i UNDP-së në Kosovë, Parviz Fartash dhe Drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni.

Përfaqësuesi i UNDP-së, Parviz Fartash, me këtë rast ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë ata që mundohen ta luftojnë korrupsionin.

“UNDP do të punojë bashkërisht me OJQ-të, ashtu si edhe me Agjencinë Kosovare Antikorrupsion, me të cilën shpresojmë të vazhdojmë marrëdhëniet tona të ngushta për të themeluar projekte tjera të suksesshme”, ka theksuar z. Parviz Fartash.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Japonisë, Tatsuhiko Ichihara, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane.


“Japonia ka asistuar financiarisht UNDP-në në Kosovë për disa projekte me synim sektorin e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe këtë, Agjencinë Antikorrupsion”, ka theksuar z. Tatsuhiko Ichihara.

Nga ana e tij, shefi i Agjencisë Hasan Preteni e kritikoi prokurorinë dhe gjyqësorin në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin.

“Ne kemi përcjellë shumë informacione mirëpo është çështje e gjyqësorit të përcakton përgjegjësinë individuale. Vlerësoj se gjyqësori dhe prokuroria në Kosovë nuk qëndrojnë mirë edhe nuk janë në nivelin e detyrave të kërkuara sa i përket luftimit të korrupsionit”, ka deklaruar z. Preteni.

Projekti i nënshkruar ka për qëllim t’i ngritë kapacitetet dhe njohuritë e të gjitha institucioneve antikorrupsion në Kosovë, si dhe të përkrahë krijimin e rrjetit rajonal – antikorrupsion.