Janevska për parregullsitë në Fakultetin e Filozofisë në UKIM: Pres raportin për të marrë vendim

Dhjetëra studentë me studime të papërfunduara të ciklit të parë janë regjistruar në mënyrë të paligjshme në studime master dhe të doktoratës në Fakultetin e Filozofisë. Skandali është zbuluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit, i cili ka nxjerrë vendime për anulimin e regjistrimeve për shkak të mosplotësimit të kushteve ligjore, gjë që është konfirmuar edhe nga ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
“Janë konstatuar parregullsi në Fakultetin e Filozofisë, por jo gjatë regjistrimit në studimet e ciklit të parë, por gjatë regjistrimit në studimet postdiplomike, cikli i dytë dhe i tretë i studimeve. Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka vepruar, ka nxjerrë konkluzione dhe e ka informuar fakultetin. Fakulteti duhet të veprojë. Sipas asaj që unë di, po vepron. Dhe në fund unë po e pres raportin përfundimtar, pasi të kalojë afati për veprim, që si ministre e autorizuar në këtë fushë të marr edhe vendimin përfundimtar”, tha Vesna Janevska.
Dekani i Fakultetit të Filozofisë, Oliver Bakreski, thotë se kontrolli i Inspektoratit është kërkuar nga vetë fakulteti dhe se janë vepruar sipas vendimeve të marra. Ai sqaron se bëhet fjalë për studentë me studime trevjeçare profesionale dhe studime njëvjeçare master, duke theksuar se janë gjithsej 7 deri në 8 studentë. Sipas tij, paratë e paguara do t’u kthehen studentëve. Ai shton se raste të ngjashme ka pasur edhe në fakultete të tjera, por thekson se institucionet duhet të veprojnë sipas ligjit.
“Për fat të keq, ne u detyruam t’i çregjistrojmë këta studentë. Sa i përket pretendimeve se fakulteti nuk ka kthyer informacion apo nuk ka kthyer mjetet financiare, kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha urdhërpagesat janë përgatitur dhe paratë do t’u kthehen studentëve brenda ditës ose nesër”, tha Oliver Bakreski.
Studentët kanë humbur statusin akademik dhe kanë mbetur pa të drejtë studimi, ndërsa përballen edhe me humbje financiare. Kostoja e studimeve master varion nga 2.000 deri në 3.000 euro, ndërsa doktorata nga 5.000 deri në 6.000 euro. Disa studentë kanë angazhuar avokatë dhe kanë paralajmëruar padi gjyqësore.




















































