LAJMI I FUNDIT:

James Rubin flet për kohën e luftës, dialogun Kosovë-Serbi dhe dezinformatat në Ballkan

James Rubin flet për kohën e luftës, dialogun Kosovë-Serbi dhe dezinformatat në Ballkan

James Rubin, përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka folur edhe për dezinformatat në rajon, çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, etj.

Rubin, ish ndihmëssekretari i Shtetit amerikan në kohën e luftës në Kosovë në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e dialogut dhe se a mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa njohje zyrtare.


“Më lejoni të them vetëm se si një amerikan që flet për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne duam të shohim njohje reciproke, ne besojmë se kjo është rruga e duhur e veprimit. Megjithatë, si realist, si diplomat, dua të them se jam i inkurajuar që procesi që ka zhvilluar Bashkimi Evropian ka mundësinë t’i normalizojë marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ta lejojë Kosovën të jetë pjesë e NATO-s, të lejohet Kosova të jetë pjesë e Këshillit të Evropës. Këta do të ishin hapa të mëdhenj përpara për këtë vend për të cilin kam një ndjenjë të veçantë dhe një dashuri të veçantë.

Dhe, mund të mos i arrijë të gjitha objektivat që mund t’i dëshirojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose që mund t’i dëshirojë populli kosovar, por nëse mund të arrijmë të njihen simbolet e sovranitetit të Kosovës në atë kuptim; nëse mund të arrijmë marrëdhënie normale dhe shkëmbime ambasadash dhe të gjithë hapat e nevojshëm për t’i bërë vendet ta trajtojnë njëra-tjetrën normalisht; dhe nëse Serbia nuk e bllokon më ose nuk mund ta bllokojë Kosovën që të mos jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të jetë pjesë e institucioneve evropiane, atëherë mendoj se populli i Kosovës do të ketë arritur diçka shumë më tepër sesa që mund të shpresojë dhe ka shpresuar për një kohë të gjatë.

Kështu që, unë do t’i nxisja njerëzit që shikojnë, ta theksojnë pozitiven. Nuk është e përsosur. Në këtë biznes, ne nuk mund të lejojmë që e përsosura të jetë armikja e së mirës dhe mendoj se do të jetë një lajm i mirë për popullin e Kosovës nëse vendi i tyre është pjesë e Evropës në kuptimin institucional, pjesë e NATO-s, pjesë e institucioneve të Perëndimit, edhe nëse nuk arrihet rezultati i përsosur i njohjes”, tha ai.

Rubin, aktualisht përgjegjës i Qendrës Globale të Angazhimit gjersa në Kosovë njihet për angazhimin në kohën e luftës ka folur edhe për UÇK-në.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara për UÇK-në evoluoi. Në ditët e para, para se të dija shumë për të, ne i kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare. Por, me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendra e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi, në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord me Marrëveshjen e Rambujesë. Dhe, ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim, nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë.

Shumë e shumë shqiptarë do të kishin vdekur.

Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe, siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për ta përdorur fuqinë ushtarake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë duke punuar ngushtë me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu për shumë e shumë vite.

Mendoj se është e drejtë të thuhet se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangnin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës. Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht, ka gjëra që janë bërë.

Por, le të jemi qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe.

Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, tha ai.

Ndryshe, Rubin ka theksuar se i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor është i cenueshëm ndaj dezinformatave ruse dhe kineze, por “një pjesë e madhe” e tyre vjen nga Serbia dhe ky është një “problem i madh që duhet të adresohet”.

Qendra është një organ i Departamentit amerikan të Shtetit, e krijuar për të ekspozuar dhe për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit.

Në trend Lajme

Më shumë
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull

Lajme
DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

DW: Sinjale alarmi nga Ballkani - po përsëritet historia?

Lajme
Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Policja që u raportua e zhdukur paraqitet në stacionin e Rahovecit

Kronika e Zezë
Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Zëvendësministri për Kthim: Sot është tentuar të vritet Marko Jablanoviq, sulmuesit i dështoi “Shkorpioni”

Siguri
Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Pahor: Kandidatura ime do të paraqitet në Bruksel, do të jem ndërmjetës i ndershëm në dialogun Kosovë-Serbi

Lajme
Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Deputeti finlandez: Serbia nuk mund t'u imponohet shteteve për të kundërshtuar Kosovën në KiE

Lajme
Kalo në kategori