LAJMI I FUNDIT:

BE-ja projekt 7 milionë euro për reformim të sistemit të drejtësisë në Kosovë

BE-ja projekt 7 milionë euro për reformim të sistemit të drejtësisë në Kosovë

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë bashkë me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera që përfshin sistemi i drejtësisë në Kosovë, kanë lansuar programin e BE-së për sektorin e drejtësisë. Programi synon reformimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, në përputhje me standardet evropiane, i njëjti arrin vlerën 7 milionë euro.

Ky projekt do të implementohet deri në janar të vitit 2024, në bashkëpunim me Këshillin Prokurorial e Gjyqësor të Kosovës, dhe Akademinë e Drejtësisë.


Në lansimin e këtij programi u tha se i njëjti do të ndihmojë institucionet e Kosovës në konsolidimin e kornizës ligjore, forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe efikasitetit të gjyqësorit.

Gjithashtu, u tha se do të përmirësojë qasjen në drejtësi për çdo qytetar, në veçanti për grupet e margjinalizuara.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se një sistem i drejtësisë i pavarur dhe profesional është element thelbësor për një shoqëri demokratike.

“Sfidat e mëdha në sektorin e drejtësisë nuk mund të adresohen në mënyrë të pjesshme dhe ad-hoc, siç është bërë në të kaluarën. BE mirëpret draftin e strategjinë sektoriale për sundimin e ligjit, dhe që i njëjti është hedhur në diskutim publik. Ne BE, së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë kemi mbështetur këtë nismë. Qeveria e Kosovës, së bashku me entitete të ndryshme politike ka shprehur gatishmërinë për të çuar këtë proces përpara, dhe shpresojmë se do të jetë kështu edhe me qeverinë e cila do të vijë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit”, tha ai.

Në mungesë të ministrit në detyrë të Drejtësisë, Selim Selimi, ka folur Pranvera Ejupi, e cila tha se projekti në fjalë është i nevojshëm për sektorin e drejtësisë në Kosovë.

“Projekti i tanishëm i cili shkurtimisht quhet EU/KO Just është projekti i parë që bënë bashkë akterët kyq të sektorit të drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe Akademinë e Drejtësisë, që për qëllim ka realizimin e synimeve të këtij sektori. Për Ministrinë e Drejtësisë, ky është projekti më ambicioz, dhe më i nevojshmi për sektorin tonë. Ky projekt është disenjuar që t’i përgjigjet nevojave dhe dobësive të sistemit tonë të drejtësisë. Ky projekt ka ardhur në kohën e duhur. Javën e kaluar është lansuar drafti i parë i strategjisë sektoriale për sundimi të ligjit, i cili është hedhur për diskutim publik. Në kuadër të kësaj janë paraparë 450 aktivitete, e që për qëllim ka fuqizimin e sektorit gjyqësor dhe prokurorial”, tha ajo.

E kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se në këtë mënyrë do të forcohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.

“Ky projekt mëton në arritjen e rezultateve të larta në fuqizimin e kapaciteteve të Këshillit Prokurorial si në planifikimin strategjik, në krijimin e bazës elektronike të të dhënave të regjistrimeve të seancave disiplinore, fuqizimin e procedurave disiplinore, fuqizimin e kapaciteteve të komisioneve të ndryshme, specializimin e prokurorëve, administrimin, sistematizimin dhe arkivimin e rasteve, elaborimin e saktë të statistikave, hartimin e rregulloreve për Këshillin Prokurorial”, tha ai.

Ky projekt zbatohet nga Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar, si partner udhëheqës së bashku me partnerët e projektit, Qendrën për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar dhe Ministrinë e Drejtësisë së Kroacisë.

Bashkimi Evropian aktualisht është duke investuar rreth 50 milionë euro të fondeve të Instrumentit të Asistencës së Para-Anëtarësimit, në sundimin e ligjit në Kosovë./kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori