Italia po përgatitet të ashpërsojë rregullat e sigurisë rrugore, duke parashikuar gjoba për këmbësorët që përdorin telefonin celular ndërsa kalojnë rrugën.

Masa është pjesë e një versioni të ri të Kodit Rrugor, i cili pritet të miratohet deri në mesin e tetorit. Sipas draftit, gjobat do të nisin nga 75 euro.


Qëllimi është të reduktohen aksidentet që ndodhin kur një këmbësor është i shpërqendruar nga telefoni dhe një drejtues automjeti nuk ka kohë të mjaftueshme për të reaguar.

Rregulli nuk do të kufizohet vetëm te telefonat. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe tabletët, laptopët dhe kamerat digjitale.

Megjithatë, përdorimi i telefonit nuk do të ndalohet plotësisht. Këmbësorët do të mund të zhvillojnë biseda pa duar, ta përdorin telefonin në raste emergjente dhe të mbajnë kufje, për sa kohë që mund të dëgjojnë mjaftueshëm me të dy veshët.

Masa do të zbatohet gjatë kalimit të rrugës, jo për personat që ecin në trotuar.

Drafti parashikon gjithashtu se këmbësorët duhet të sigurohen para kalimit se drejtuesi i automjetit i ka parë dhe ka ndërmend të ndalojë. Ata gjithashtu nuk duhet të ndalojnë apo të vonojnë pa arsye gjatë kalimit.

Italia nuk është vendi i parë që ndërmerr një masë të tillë. Lituania vendosi gjoba për këmbësorët e shpërqendruar në vitin 2018, ndërsa Honolulu dhe qyteti japonez Yamato kanë zbatuar rregulla të ngjashme.

Kodi i ri pritet të ashpërsojë edhe masat ndaj shoferëve që përdorin telefonin gjatë drejtimit. Për shkelësit e përsëritur, gjobat mund të arrijnë deri në 2,588 euro, ndërsa patenta mund të pezullohet për një deri në tre muaj. /Telegrafi/