LAJMI I FUNDIT:

Isufi thotë se askush nuk kërkoi dorëheqjen e Haradinajt, shkaku i taksës

Isufi thotë se askush nuk kërkoi dorëheqjen e Haradinajt, shkaku i taksës

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po përballet me presione të shumta, si nga faktori ndërkombëtar, po ashtu edhe nga ai vendor, për heqjen e taksës. Por, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se kryeministrit të vendit nuk i është kërkuar të dorëhiqet nga posti i kreut të ekzekutivit, për shkak të taksës.

“Jo, nuk është bërë një kërkesë e tillë nga askush. Por, atë ditë që i bëjnë 61 vota kushdo, mundet ta kërkojë mocionin e mosbesimit për Qeverinë dhe normalisht që kur i kanë votat as nuk na pyesin, e kryejnë punën”, tha Isufi, për Ekonomia Online.


Numri dy i AAK-së, pohon se koalicioni qeverisës është duke funksionuar mirë. Sa i përket deklarimeve kundërthënëse të partnerëve të koalicionit, ai i sheh si normale përderisa një Qeveri udhëhiqet nga disa parti të ndryshme.

Raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Isufi thotë se nuk janë ndërtuar për një ditë, andaj sipas tij, ato janë tradicionale dhe të fuqishme.

Isufi tha se krerët e shtetit, nuk mund të tërhiqen nga vendimet e tyre, përderisa shton se Kosova nuk mund të bëhet mall kusuritje për të tjerët në rajon.

Ai i kërkon ShBA-së, t’i bëjë presion Serbisë.

“Por, nuk bën të tërhiqemi ne nga vendimet tona për shkak se nuk mund të bëhemi ne vazhdimisht mall kusuritje për të tjerët në rajon. Kjo kërkohet nga ana e Kosovës por nuk po i bëhet trysni Serbisë, nuk po i bëhet trysni politikës së Vuçiqit e Daçiqit e të tjerëve, të cilët po e ndjekin të njëjtën politikë të Millosheviqit. Duhet njëherë shkaktari të akuzohet dhe të ndalet. Kosova edhe ashtu është drejt integrimeve evropiane e përcaktuar, është pro perëndimore, pro amerikane, madje populli më pro amerikan në Ballkan. Dhe interesi i ShBA është që të jetë me Kosovën, të jetë me shqiptarët dhe të ketë një strategji të veçantë në Ballkan. Kjo kundërvënie është kundër Serbisë, kundër Rusisë. Kështu duhet të kuptohet dhe çdo kundërvënie ndaj Rusisë në këtë moment është pro”, tha Isufi.