ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Një numër i madh hotelesh, objektesh hotelierike dhe vendbanimesh përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit vazhdojnë të paraqesin ndotës potencialë ose të drejtpërdrejtë të liqenit, vlerëson Instituti i Shëndetit Publik (IShP) në raportin më të fundit për cilësinë dhe sigurinë e ujërave sipërfaqësore për larje rekreative.

Sipas raportit, edhe pse sistemi i kolektorit mbledh dhe trajton ujërat e zeza nga Ohri dhe Struga, ende ekzistojnë objekte të ndërtuara në vitet e fundit që nuk janë të lidhura me këtë rrjet. Në mesin e tyre përfshihen hotele dhe komplekse turistike nga zona e Hotelit “Desaret” deri në Shën Naum, si dhe objekte nga Struga deri në fshatin Radozhdë.


Raporti thekson se shtëpitë private në Saraishte, Kaneo, pranë kishës “Shën Sofia”, përgjatë gjithë bregut të liqenit, si dhe në fshatrat Trpejcë, Ljubanishtë dhe Radozhdë, kryesisht përdorin gropa septike. Në disa raste ato zbrazën nga shërbimet komunale, ndërsa në Radozhdë një pjesë e ujërave të zeza derdhen drejtpërdrejt në liqen, duke shkaktuar ndotje të drejtpërdrejtë.

IShP paralajmëron se ndotës janë edhe tubacionet për shkarkimin e ujërave atmosferike, në të cilat në disa raste janë lidhur edhe ujërat e zeza nga objektet kolektive dhe shtëpitë private. Si burime të mundshme ndotjeje përmenden edhe pishinat e hoteleve dhe Pishina e Qytetit.

Raporti evidenton probleme edhe në sistemin lokal të kanalizimit në Shën Naum. Edhe pse ekziston një sistem i ndërtuar në vitin 2013, ai nuk funksionon plotësisht, pasi përpunimi i ujërave të zeza kryhet vetëm me thërrmues, pa filtra dhe pa proces klorimi para derdhjes në liqen.

Megjithatë, analizat laboratorike të kryera nga 20 maji deri më 24 qershor 2026 tregojnë se cilësia e ujit në pjesën më të madhe të Liqenit të Ohrit i plotëson standardet ligjore. Uji është klasifikuar në klasin I sipas parametrave fiziko-kimikë, me përjashtim të pikës matëse në plazhin Grashnicë, ku është regjistruar klasa III.

Sa i përket analizave mikrobiologjike, shumica e mostrave janë vlerësuar me notën “Shkëlqyeshëm”, ndërsa në plazhin pranë Hotelit “Royal”, në Labino dhe në kanalin Studençishtë cilësia është vlerësuar si “Mirë”. Në pikën matëse Grashnicë, megjithatë, mostra nuk i ka përmbushur kriteret mikrobiologjike për vlerësimin “Shkëlqyeshëm” apo “Mirë”.