LAJMI I FUNDIT:

Ish-senatori Dole njofton se ka kancer në mushkëri

Ish-senatori Dole njofton se ka kancer në mushkëri

Ish-senatori republikan Bob Dole, i cili garoi pa sukses për president në 1996, tha të enjten se ishte diagnostikuar me kancer të avancuar të mushkërive dhe do t’i nënshtrohet trajtimit duke filluar javën e ardhshme.

“Kohët e fundit, u diagnostikova me kancer në mushkëri në fazën e katërt …. Edhe pse sigurisht kam disa pengesa përpara, unë e di gjithashtu se u bashkohem miliona amerikanëve që përballen me sfida të konsiderueshme shëndetësore”, tha 97-vjeçari Dole në një postim në Twitter.


I njohur për mendjemprehtësinë dhe aftësitë e tij si ligjvënës, zoti Dole ka patur një karrierë të gjatë në Kongresin amerikan që përfshinte vitet si udhëheqës i shumicës në Senat.

Në fillim të viteve 1980 ai kryesoi Komisionin e Financave të Senatit, i cili merret me politikat e taksave, tregtisë dhe shëndetësisë.

Ai u mposht nga Presidenti Bill Clinton në zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, me 49.2% të votës kundrejt 40.7%.

Bob Dole mori plagë të rënda në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore që e bëri të shtrohej në spital për një kohë të gjatë.

Ai njihet për lidhjet e tij me Kosovën.

Tre dekada më parë, Senatori Dole së bashku me disa ligjvënës të tjerë vizitoi Prishtinën, në një kohë kur Kosova ishte nën sundimin e Beogradit.

Mendohet se vizita e tij luajti rol me rëndësi për zhvillimet e ardhshme në Kosovë.

Vitin e kaluar, në Prishtinë u përurua një bust për nder të senatorit Dole. /VOA/