LAJMI I FUNDIT:

Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Shutanovac: Pajisja e Kosovës me raketa “Javelin”, lajm i keq për Serbinë

Ish-ministri serb i Mbrojtjes, Shutanovac: Pajisja e Kosovës me raketa “Javelin”, lajm i keq për Serbinë

Lajmi i bërë publik nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të së enjtes me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill, se Kosova do të blejë nga SHBA-ja raketa antitank “Javelin”, ka nxitur reagime në Serbi.

Dragan Shutanovac, ish-ministër i Mbrojtjes në Serbi dhe themelues i Këshillit për Politikat Strategjike, ka thënë për “Danas” se ky nuk është një lajm i mirë për Serbinë sepse Kosova praktikisht do të ketë ushtrinë e saj.


“Që nga momenti i formimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, ishte e qartë se autoritetet në Kosovë synojnë që këto forca të jenë shtylla kurrizore e ushtrisë së ardhshme të Kosovës. Ju kujtoj se vendimin për formimin e ushtrisë së Kosovës e kishte marrë parlamenti në vitin 2018, por që atëherë zyrtarët e NATO-s e kritikuan atë vendim dhe praktikisht – e ngadalësuan”, tha ai, transmeton Telegrafi.

DASH: Vlera e raketave antitanke që do të blejë Kosova është 75 milionë dollarë
Lexo po ashtu DASH: Vlera e raketave antitanke që do të blejë Kosova është 75 milionë dollarë

Megjithatë, shton ai, me blerjet e fundit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, përfshirë dronët turq, dhe veçanërisht me synimin për pajisjen e FSK-së me raketa antitank, Kosova praktikisht do të ketë një ushtri përkundër të gjitha marrëveshjeve.

“Militarizimi i Kosovës nuk është një lajm i mirë si për Beogradin ashtu edhe për vendet përreth, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut, e cila tashmë është përballur me rebelime të armatosura që synojnë shkëputjen e një pjese të territorit dhe formimin e Shqipërisë së Madhe, që është baza e aktivitetet politike të ekstremistëve dhe Kurtit”, beson Shutanovac.

Ai vlerëson se “ky veprim i administratës amerikane do të shkaktojë pakënaqësi, por ju kujtoj se Serbisë së fundi i është miratuar blerja e automjeteve të blinduara luftarake, kështu që ky vendim paraqet një raport të balancuar ndaj Prishtinës dhe Beogradit”.

Ndërsa avokati serb, Çedomir Stojkoviq, duke komentuar e kërkesën e Kosovës për blerjen e raketave anti-tank “Javelin” nga SHBA, ka thënë të enjten se  ky është një sinjal i qartë se SHBA-të nuk llogarisin më në Aleksandar Vuçiqin.

“Amerika nuk llogarit më në Vuçiqin”, avokati serb: SHBA i sheh raketat “Javelin” si faktor paqeje në Ballkan
Lexo po ashtu “Amerika nuk llogarit më në Vuçiqin”, avokati serb: SHBA i sheh raketat “Javelin” si faktor paqeje në Ballkan

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i tha presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit të tyre në kryeqytetin serb, më 11 janar, se Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke “Javelin”.

Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me çka fillon procedura zyrtare.

“Dy vjet më parë, pak para pushtimit të Ukrainës, për të cilin Putini informoi në vitin 2021, Aleksandar Vuçiq shpenzoi dhjetëra milionë euro për blerjen e tankeve ruse, me të cilat donte të realizonte skenarin e Donbasit në veri të Kosovës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, sapo Putini të pushtonte Kievin”, ka shkruar Stojkoviq në platformën sociale “X”, transmeton Telegrafi.

“Tani SHBA-të po i japin Kosovës një ndalues të paprekshëm të atyre tankeve, sistemin raketor ‘JAVELIN’. Një sinjal i qartë se SHBA-ja nuk po llogarit më tek Aleksandar Vuçiq dhe se në vend të Vuçiqit, faktor i paqes në Ballkan po bëhet pajisja ushtarake amerikane sikurse ‘JAVELIN’. Zoti e bekoftë Amerikën!”, ka shkruar avokati serb./Telegrafi/