LAJMI I FUNDIT:

Ish-doktori i OSBE-së tregon se çka kishte parë në Klinikën ‘Medicus’

Ish-doktori i OSBE-së tregon se çka kishte parë në Klinikën ‘Medicus’

Ish-doktori i punësuar në Misionin e OSBE-së në Kosovë, Driton Jilta, ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin e mjekëve Lutfi Dervishi, i cili akuzohet për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore si dhe Sokol Hajdinit të akuzuar për lëndim të rëndë trupor.

Jilta gjatë dëshmisë së tij tha se ai nga viti 1999 kishte filluar të punonte për OSBE-në për 11 vite radhazi deri në momentin kur mbi të kishin rënduar akuzat për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore.

Ndonëse ishte kirurg, ai tha se pas përfundimit të luftës nuk e kishte ushtruar më profesionin e kirurgut pasi që pas luftës e kishin larguar nga Klinika e Kirurgjisë dhe se pikërisht në vitin 1999 kishte përfunduar karriera e tij si kirurg, për t’u punësuar më pas në OSBE si mjek i përgjithshëm.

Dëshmitari tha se ai gjatë punës së tij kishte kontaktuar me shumë klinika për të shikuar se çfarë shërbimeve ofronin ato, pasi që në rast se ndonjë punëtor do të kishte nevojë për ndonjë ndërhyrje të dinin ku të drejtoheshin dhe të njëjtit të mos paguanin direkt por këtë ta mbulonte sigurimi shëndetësor.

I pyetur nga prokurorja Valeria Bolici nëse ishte edhe klinika “Medicus” në mesin e klinikave me të cilat kishte kontaktuar, Jilta tha se për herë të parë për klinikën “Medicus” kishte dëgjuar kur një pacient i kishte prezantuar atij një raport mjekësor të lëshuar nga kjo klinikë. Më pastaj dëshmitari tha se ishte interesuar për këtë klinikë të cilën edhe e kishte vizituar më pas.

Ndonëse deklaroi se mund të ketë dëgjuar edhe më herët për Lutfi Dervishin, ai tha se për herë të parë atë e kishte takuar kur kishte shkuar në klinikën “Medicus”.

Dëshmitari gjatë gjithë dëshmisë së tij në shumicën e rasteve deklaroi se shumë gjëra nuk i mbante në mend për shkak të kohës së gjatë që kishte kaluar e po ashtu edhe për shkak të stresit që thoshte se e kishte përjetuar në jetë.

Megjithatë, ai arriti të kujtonte se kishte shkuar diku rreth pesë herë në klinikën “Medicus” dhe se në ato raste kishte pasur mundësi që të shihte edhe sallën e kirurgjisë të cilën ia kishte treguar dr. Dervishi gjatë prezantimit të klinikës.

I pyetur nga prokurorja nëse kur dëshmitari kishte hyrë në sallën e kirurgjisë të kishte qenë duke u kryer ndonjë operacion, Jilta tha se nuk kishte vërejtur një gjë të tillë.

Pas kësaj përgjigjeje prokurorja e ballafaqoi dëshmitarin me dëshminë e tij të dhënë në korrik të vitit 2010 ku ai kishte deklaruar që kur kishte hyrë në sallën e operacionit aty kishte qenë duke u kryer një operacion dhe se ai e kishte parë një “pacient me varrë në bark”.

Në lidhje me këtë dëshmitari tha se për shkak të kohës së gjatë dhe stresit që kishte përjetuar kishte vendosur që ta harronte atë pjesë të jetës së tij.

“Kanë kaluar dhjetë vite, dhe pas kësaj ngjarjes sa stresi është përjetuar, unë pata stres psikologjik dhe shok, i kam pasur vetëm dy zgjidhje ose me e fshi këtë ngjarje ose me u çmendë. Kjo është arsyeja që unë sot përdor barëra”, u përgjigj dëshmitari.

Por më vonë si duket dëshmitari u kujtua dhe deklaroi se ai kur kishte hyrë në sallën e operimit kishte parë dr. Dervishin, doktorin turk dr. Kenanin për të cilin tha se e ka djalë të xhaxhait, dr. Sokolin dhe dy anestesteziologë të tjerë.

Për të gjithë tha se kishin qenë të veshur me rroba të gjelbra pra me kapelë e dorëza dhe maskë, ai tha se edhe vetë i kishte veshur ato rroba sepse për të hyrë në dhomën e operimit lejohej vetëm në atë mënyrë.

“Herën e dytë apo herën e tretë kur kam shku e kam parë edhe Sokolin në sallë. Mund të them se e kam parë dhe të gjithë kanë qenë të veshur me rroba të gjelbra me maskë e kapelë, aty e kam parë edhe dr. Kenanin e kam parë dr. Lutfiun edhe ata dy anesteziologët nuk e di se si e kanë emrin”, deklaroi dëshmitari.

Tutje Jilta shtoi se ai aty kishte qëndruar shumë shkurt diku rreth pesë apo gjashtë minuta dhe për aq sa kishte qëndruar aty kishte arritur të vërente se aty ishte duke u kryer një operim.

“Kam qëndruar aty shumë shkurt dhe e kam parë pacientin i cili ka qenë i mbuluar e me varrë në stomak”, tha ai.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 10 janar dhe si dëshmitar të radhës do të dëgjohen anesteziologu Sylejman Dulla dhe Fatos Haziri.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Gjykata e Apelit më pas ia kishte vërtetuar dënimin Dervishit, ndërsa Hajdinit ia kishte shtuar vitet e dënimit me burg nga 3 vjet në 5. /Kallxo.com/

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Hamza: Jam më i mirë se Kurti në qeverisje, kam përvojë më shumë se Abdixhiku - Haradinaj s’do të jetë kryeministër

Lajme
Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Nënkryetarja e PE-së e thotë hapur se BE-ja gaboi me masat ndaj Kosovës, tregon pse po amnistohet Serbia

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Limaj: Nuk duhet të shkojmë në zgjedhje kur dëshiron Kurti

Siguri
Kalo në kategori