Ish-diplomati amerikan: Përshtypja ime, Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në UÇK

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë sot deklaroi se përshtypja e tij ishte se Jakup Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Hill ka folur edhe për takimin e tij me Thaçin dhe Krasniqin në Dragobill.
"Kjo është përshtypja juaj, nga sa keni parë se zotëri Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në UÇK...", pyeti avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis.
"Po, kjo ishte përshtypja ime”, tha Hill.
Christopher Hill u pyet po ashtu nga mbrojtja e Jakup Krasniqit nëse ka qenë në dijeni në lidhje me nismën e Sllobodan Millosheviqit për “krijimin e një njësie lokale policore” në fshatrat e pjesës perëndimore të Kosovës, ai mohoi një gjë të tillë.
Ai tha se po të ishte në dijeni për këtë do t’i thoshte se ishte ide e keqe.
Hill teksa foli për negociatat e janarit të vitit 1999 në Rambuje, tha se një “shkëmbim i vetëm që kishte ndodhur mes UÇK-së dhe ushtarëve të konfliktit”.
“... Do të kisha thënë që është një ide e keqe”, tha ai.
“Jo, por të kisha qenë në dijeni të kësaj gjëje do të kisha thënë që është një ide e keqe. Jo çdo nismë e presidentit Millosheviq na raportohej, me thënë të drejtën as seriozisht nuk e merrnim... Ai planifikonte të merrte masa ndëshkimore shumë të rrepta nëse nuk bëhej diçka”, u shpreh ai.
Ai tha se nuk e dinte se e kishte lejuar lirimin e ushtarëve serbë dhe Hill shtoi se ishte problematikë e vazhdueshme me UÇK-në sepse nuk e dinin kush ishte përgjegjës atje.
Ish i dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill tha se edhe sot i qëndron mendimit të tij dhe skepticizmit të tij se organizimi i konferencave mund të zgjidhje problemet e Kosovës.
Pse Hill tha se ishte skeptikë që organizimi i një konference mund të zgjidhte këtë çështje?
“Isha skeptikë që organizimi i një konference mund të zgjidhte këtë çështje për më tepër isha skeptikë dhe i lodhur nga ideja se Dejtoni ishte ideja për të zgjidhur problemin e Kosovës të cilin unë e gjykoja si një konflikt shumë ndryshe”, tha ai.
Gjatë dëshmisë së tij ish-diplomati amerikan konfirmoi se më 6 nëntor 1998 ishte takuar me Thaçin dhe Krasniqin në Dragobill.
Tutje në gjykatore, Hill deklaroi se Adem Demaçi ishte kundër negociatave me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk e trajtonte çështjen e pavarësisë.
“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.
Mbrojtja e Veselit dhe Selimit nuk pati pyetje për dëshmitarin e pestë të mbrojtës së Thaçit, Christopher Hill.
Ndërsa, aktualisht ish i dërguari i posaçëm i SHBA gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill po përgjigjet në pyetjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Hill dëshminë e tij në Hagë e ka nisur dje, dhe është dëshmitari i pestë i thirrur nga mbrojtja e Hashim Thaçit e cila përfaqësohet nga avokati Luka Mishetiq. Ndërsa, kanë mbetur veç edhe dy dëshmitarë për tu dëgjuar.
Kujtojmë se Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës për çka janë deklaruar të pafajshëm. /kp/



















































