LAJMI I FUNDIT:

Isa Mustafa: Istogu s’guxon të bie në duart e partive tjera

Isa Mustafa: Istogu s’guxon të bie në duart e partive tjera

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, duke kërkuar votën e istogasëve për kandidatin e kësaj partie, Haki Rugova për kryetar të Komunës, ka thënë se nuk duhet t’u jepet vota atyre kanë mashtruar dhe importuar vota, ndërsa pohoi se LDK së shpejti do të qeverisë edhe me Kosovën, pasi qeverisjen e tanishëm do ta dërgojnë shumë shpejt në shtëpi.

Mustafa i bëri këto vlerësime në përmbylljen e fushatës së LDK-së për kryetar të Komunës së Istogut, ku qytetarët për të tretën herë do të dalin në votime, për të zgjedhur të parin e tyre.


Kryetari i LDK-së, Mustafa tha që sonte është aty, që t’i lut për t’i mundur ata që nuk e meritojnë fitoren, pasi sipas tij ata nuk e meritojnë me qenë në karrigen e të parit të komunës, por prapa grilave.

“Ata meritojnë jo me qenë në karrigen e të parit të komunës, por me qenë prapa grilave, sepse ne nuk mund t’ia besojmë drejtimin e komunës atyre që falsifikojnë me vota, atyre që importojnë vota prej Malit të Zi, prej Serbisë, prej Sllovenisë, prej Vjenës. Ata e kanë vendin tjetërkund, ata nuk e kane vendin në Komunën e Istogut”, tha Mustafa.

Ai tha se ka besim në qytetarëve të Istogut, se ata në asnjë rast nuk do ua japin shansin, e as votën njerëzve që janë pa moral, pasi nuk e meritojnë votën e istogasve. “Ata nuk mund të bëhen zot shtëpie në shtëpinë e juaj, në shtëpitë tona, me sjellje të tilla inkriminuese dhe me shkelje të ligjit”.

“Jam i respektuar që së bashku me ju, jemi sonte në komunë e Ibrahim Rugovës. Dhe ne edhe për figurën, edhe për nderin, edhe për emrin e Ibrahim Rugovës, e kemi me çdo kusht ta fitojmë Istogun, sepse Istogu s’guxon të bie në duart e partive tjera. Është LDK e cila meriton ta fitojë Istogun. Unë ju garantoj se s’do t’iu shkojë larg, e do t’i dërgojmë edhe nga qeverisja qendrore në shtëpi, e LDK do të qeverisë edhe me Kosovën”, tha Mustafa.

Kurse kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut Haki Rugova tha se përkrahja e madhe që ka, është një dëshmi se LDK është shumë unike dhe është fituese. Ai kërkoi që ata që kontrabanduan vota, të gjenden prapa grilave, e jo në karrigen e kryetarit të Komunës.

“Ishte një krim, që unë e kam pa si krim, që shihet si krim, që me vota të kontrabanduara, të tentohet që e keqja të instalohet në Istog. Istogasit një gjë të tillë nuk e lejojnë dhe nuk do ta lejojnë asnjëherë. E njoh Istogun, ju njoh juve, kam besimin në ju dhe kam pas gjithmonë. Këtë do ta dëshmojmë edhe në fazën e ardhshme, në fitoren edhe më të fortë se në herën e parë dhe të dytë. Gjithmonë Istogu do të jetë i LDK-së, LDK-ja do të jetë këtu dhe do të jetë përjetësisht në Istog dhe do të jetë gjithmonë e para”, tha ai.

Rugova tha se sonte është një lloj kushtrimi, që të dielën të dalin fuqishëm dhe me votë ta dëshmojnë fuqishëm fitoren bindëse të LDK-së dhe të mos lejojnë të instalohet një koncept i keqqeverisjes, raporton KosovaPress.