Irfan Lipovica emërohet drejtor i Akreditimit, i dyshuar në rastin e rezervave shtetërore

Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj emëroi Irfan Lipovicën, drejtor i përgjithshëm të Akreditimit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Lipovica ishte arrestuar në vitin 2023, si i dyshuar në rastin e rezervave shtetërore. Më pas ishte liruar nga paraburgimi po atë vit për t’u mbrojtur në liri.
Ministrja Rozeta Hajdari para kabinetit qeveritar dha arsyetimin e propozimit së Lipovicës për drejtor t[ Akreditimit në MINT.
“Akreditimi si një proces me rëndësi të lartë për ekonominë vërteton cilësinë dhe besueshmërinë e institucioneve dhe bizneseve, pasi që përmes këtij procesi vlerësohet përputhshmëria e produkteve dhe të proceseve e shërbimeve me standarde ndërkombëtare e vendore duke garantuar kështu që ato të ofrojnë nivel të lartë të cilësisë...”, tha ajo.
Telegrafi i ka shkruar Qeverisë së Kosovës për të marr një qëndrim lidhur me emërimin e Lipovicës, pasi i njëjti është në hetime.
Sipas saj, procesi i përzgjedhjes së kësaj pozite është zhvilluar në mbështetje të legjislacionit në fuqi.
Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi emëroi edhe Ridvan Hoti, zëvendësdrejtorit Ekzekutiv për Trajtim të Burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.


















































