LAJMI I FUNDIT:

Investitorët e huaj po largohen nga Kosova, shkojnë në Serbi (Video)

Investitorët e huaj po largohen nga Kosova, shkojnë në Serbi (Video)

Sipas një hulumtimi të Aleancës Kosovare për Biznes, 94 për qind e investitorëve të huaj janë larguar nga Kosova.

Kryetari i kësaj Aleance, Agim Shahini, tha se njëra nga arsyet e largimit të tyre, është korrupsioni.


“Investimet kanë thënë se janë të shtrenjta dhe kreditë janë të larta, dhe ne e dimë se me të vërtet janë të shtrenjta dhe kreditë janë të larta karshi vendeve të Ballkanit apo Evropës prej nga vijnë. Pengesë tjetër ka qenë korrupsioni dhe burokracia”, tha për RTV Dukagjinin Agim Shahini.

Sipas këtij hulumtimi, pjesa më e madhe e tyre janë larguar në Serbi për të investuar.

“Neve na ka interesuar të dimë se ku kanë shkuar ata pasi janë larguar nga Kosova. Një numër i madh i tyre, rreth 35 % e tyre kanë shkuar në Serbi, 25% në Maqedoni, 15 % në Shqipëri”, deklaroi ai, përcjell Telegrafi.

Një gjë të tillë është për t’u brengosur sipas njohësit të çështjeve ekonomike, Flamur Keqa, sepse ata do të ndikonin drejtpërdrejt në zbutjen e papunësisë.

“Është shumë shqetësuese kur investitorët e huaj vijnë në Kosovë, kontaktojnë institucione dhe faktorë tjerë dhe dalin të pakënaqur. Ata me investimet e tyre ndikojnë në zbutjen e papunësisë dhe ndikojnë në rritjen e eksporteve”, tha Flamur Keqa, njohës i çështjeve ekomonike.

Keqa u bën apel të gjitha institucioneve që t’iu krijojnë kushte investitorëve në zhvillimin e bizneseve në Kosovë.
Sipas statistikave, Kosova ka një shkallë të varfërisë mbi 30%./Telegrafi/