Interi ka shënuar fitore të thellë me rezultat 5-1 në shtëpi ndaj Venezias në kuadër të fazës së 1/16-tave të Kupës së Italisë.

Zikaltërit e nisën fuqishëm sfidën, duke kaluar në epërsi në minutën e 18-të kur Andy Diouf shënoi pas një pasimi të shkëlqyer nga Frattesi për 1-0.


Vetëm dy minuta më vonë, Francesco Pio Esposito gjeti rrjetën me një goditje të fuqishme nga distanca, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Interi vazhdoi dominimin dhe në minutën e 35-të Marcus Thuram realizoi një gol të bukur nga e djathta e zonës, pas asistimit të Zielinskit për 3-0.

Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm. Në minutën e 48-të, Luis Henrique pati mundësinë të shënojë, por Grandi reagoi me një pritje fantastike.

Interi megjithatë do ta gjente golin e katërt në minutën e 51-të, kur Thuram përfitoi nga një asist perfekt i Frattesit për të shënuar me kokë në portë të boshatisur për 4-0.

Venezia reagoi në minutën e 66-të me golin e Richie Sagrados, i cili devijoi topin në rrjetë duke ngushtuar shifrat në 4-1.

Por vetëm pak minuta më vonë, pas një rasti të humbur nga Mkhitaryan, Ange-Yoan Bonny shënoi në minutën e 75-të golin e pestë, për rezultatin përfundimtar të ndeshjes 5-1./Telegrafi/

telegrafi sport app