LAJMI I FUNDIT:

Institucionet ndërkombëtare mirëpresin vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Institucionet ndërkombëtare mirëpresin vazhdimin e mandatit të EULEX-it

Zyra e BE-së në Kosovë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve snëtare të BE-së në Kosovë, e kanë mirëpritur vendimin e sotëm të Kuvendit të Kosovës për të zgjatur mandatin e Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX) për dy vjet.

“Me mandatin e ri, Kosova do të jetë përgjegjëse për sundimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit. Autoritetet duhet ta shfrytëzojnë mandatin e ri për të vazhduar një tranzicion të qartë të zotërimit dhe përgjegjësisë nga EULEX-i në Kosovë. Meqë kjo do të merr kohë, është e rëndësishme që ky ndryshim të jetë gradual, ashtu që të mos rrezikojë atë që është arritur në fushën e sundimit të ligjit deri më tani”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të këtyre institucioneve ndërkombëtare.


Në të thuhet se “Kosova ka arritur rezultate të rëndësishme në rrugën e saj evropiane, më e dukshmja me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin e Komisionit Evropian për udhëtim pa viza dhe normalizimin përmes Dialogut. EULEX-i ka qenë dhe vazhdon të jetë i lidhur me këto procese dhe me agjendën evropiane të Kosovës”.

BE-ja do të vazhdojë të bëjë përpjekjet e saj maksimale që të ndihmojë Kosovën në adresimin e sfidave në fushën e rëndësishme të sundimit të ligjit.