LAJMI I FUNDIT:

Institucionet e drejtësisë: Slobodan Vujiçiq paraqet rrezik për Kosovën dhe Malin e Zi

Institucionet e drejtësisë: Slobodan Vujiçiq paraqet rrezik për Kosovën dhe Malin e Zi

Slobodan Vujiçiq, kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës (Udruženje Crnogoraca Kosova), sipas institucioneve të drejtësisë së Malit të Zi është “person i dyshimtë si spiun i dyfishtë”, dhe për këtë ka hyrë në listën e personave që paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare të Malit të Zi, thotë një dokument të cilin e ka parë KosovaPress.

Rreziku që paraqet ai, rritet kur merren parasysh faktet se ka qenë i dënuar për vrasje dhe është përdorues i substancave narkotike, gjë të cilën e vërtetojnë edhe mediet e Beogradit. Në një nga emisionet nga një burg në Serbi, Vujiçiq flet për kushtet e tij në burgun serb.


Lidhur me këto dhe çështje të tjera, Kosovapress ka kontaktuar edhe Vujiçiq.

Në vitin 2008, Vujiçiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të përdorimit të alkoolit, ku i dehur kishte tentuar që me veshje tradicionale malazeze të hynte në një lokal nate në Prishtinë.

Sipas të dhënave të paraqitura nga organet shtetërore malazeze, Slobodan Vujiçiq, përveç se, “dyshohet se ka kaluar në shërbim të agjencive sekrete serbe, ka indikatorë që ka marrë detyra edhe nga rusët që të përfshihet në trazira në tri shtete: Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë. Ai jeton në afërsi të Prishtinës dhe është kryetar i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës. Është i punësuar në PTK dhe ka kontakte legale me të gjithë garniturën politike malazeze dhe kosovare. Në anën tjetër, në Serbi, përveç se me agjencinë sekrete BIA, nuk ka kontakte me nivel politik”.

“Slobodan Vujiçiq personalisht takohet me udhëheqësit e BIA-s në Beograd, kurse në Kosovë ka kontakt me bashkëpunëtorë të lartë të këtij shërbimi”, thuhet ndër të tjera në dokumentin e institucioneve të drejtësisë në Podgoricë.

Dokumenti në fjalë potencon emrat e dy agjentëve të BIA-së, kurse KosovaPress i publikon vetëm inicialet e tyre për arsye sigurie (B.D. dhe S.P.).

Shqetësimi kryesor i institucioneve malazeze bie mbi bashkëpunimin e Vujiçiqit me shërbimin ushtarak të inteligjencës ruse GRU.

“Ende nuk është shënuar pjesëmarrje e Vujiçiqit në protestat shëtitëse (litije) në Mal të Zi, edhe pse ai ka marrë pjesë në kësi protestash në Kosovë. Paraqitja e tij në protesta të organizuara nga disa klerikë fetarë të Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, të cilat nxiten nga Kremlini do të ishte e rrezikut të lartë”, thotë dokumenti.

Veçmas, kur merret parasysh fakti se i apostrofuari ka qenë i dënuar për vrasje në Serbi dhe se ka ikur nga burgu.

KosovaPress ka siguruar të dhëna se Vujiçiqi ka qenë në burg në Serbi, ku ka qenë duke vuajtur dënimin prej 11.5 viteve burg për vrasje. Ai, do të duhej të lirohej nga burgu më 9 nëntor të vitit 2010, thuhet në një emision që Radio Televizioni i Serbisë e kishte bërë (minuta 18:30).

Vujiçiqi njihet edhe si përdorues i substancave narkotike, gjë e cila e shton rrezikun që mund ta paraqesë. Prandaj, hyrja e tij në Mal të Zi i alarmon institucionet e sigurisë në Podgoricë.

“Federata Ruse, përkatësisht shërbimi ushtarak i inteligjencës së këtij shteti, kontaktet e para, të evidentuara, me Vujiçiqin i ka bërë në vitin 2016, kurse bashkëpunimi i tij me shërbimet sekrete serbe është shumë më i hershëm”, thuhet më tej në dokumentin në fjalë.

Ditët e fundit, Vujiçiqi ka ftuar Qeverinë e Malit të Zi që ta tërheqë ambasadorin e këtij shteti nga Prishtina, duke kërcënuar që kjo të bëhet “derisa të zbatohet Strategjia për integrimin dhe afirmimin e malazezëve, të cilën e ka miratuar Qeveria e Kosovës që në vitin 2016”. Këtë deklaratë të tij e kanë dhënë shumë media serbe.

KosovaPress ka kuptuar se, në emër të Shoqatës që e udhëheq, Vujiçiçi shpeshherë ka marrë fonde nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ai ka qenë edhe kryetar i Partisë “Forca e Re” (Nova Snaga), nga e cila ka dhënë dorëheqje në shtator të vitit 2019. Vujiçiqi ka qenë pjesëmarrës edhe i pothuajse të gjitha garave elektorale në Republikën e Kosovës.

Së fundmi, Vujiçiqi ka përkrahur Listën Serbe (Srpska Lista), dhe ka adresuar shumë ankesa në institucionet e Kosovës lidhur me mos përfaqësimin e malazezëve.

Dokumenti që ka parë KosovaPress është i muajit qershor të vitit 2020, dhe pason pas përplasjeve publike në mes të Vujiçiçit në njërën anë, dhe Ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë dhe disa mediave malazeze në anën tjetër.

Përndryshe marrëdhëniet në mes institucioneve kosovare dhe atyre malazeze janë të shkëlqyeshme. Edhe këmbimet e informacioneve të rëndësishme që kanë të bëjnë me drejtësinë dhe sigurinë janë të kënaqshme, ka mësuar KosovaPress nga dokumenti në fjalë.

KosovaPress do t’iu drejtohet me pyetje edhe institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës lidhur me rastin e Slobodan Vujiçiçit, për çfarë do t’ju mbajë të informuar.

Përgjigjet e Vujiçiqit

Në raport me prishjen e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës, Slobodan Vujiçiç ka deklaruar se, kritikat tona ndaj institucioneve dhe zyrtarëve të caktuar të Kosovës dhe Malit të Zi janë më se të justifikuara.

“Kritikat tona nuk janë keqdashëse, por fryt i frikës sonë, prandaj duam që kritikët të drejtojnë institucionet dhe zyrtarët më të lartë që të merren seriozisht me ne dhe më në fund rregullojnë zyrtarisht pozicionin juridik të komunitetit malazez që jeton në kushte jashtëzakonisht të vështira, gjë që kërcënon zhdukjen tonë të plotë”, ka thënë Vujiçiq.

Ai ka përmendur një varg kërkesash që i ka dërguar institucioneve të Kosovës për kthimin e malazezëve të shpërngulur nga Kosova, pastaj kushtet e dobëta të tyre, punësimin e të tjera.

“Qendra e Zhvillimit të Malazezëve në Kosovë kërcënohet me mbyllje sepse Ministria e Kulturës na ka borxh 20,000 euro, nga 14 maji 2019, dhe ata absolutisht injorojnë memorandumin e nënshkruar me shoqatën, edhe pse ata e hartuan vetë, kështu që ne jemi në një pozitë shumë të pa lakmueshme”, ka thënë ndër të tjera ai.

Lidhur me faktin e kalimit të tij në Listën Serbe dhe qëndrimet e njëjta, Vujiçiq ka thënë se, “pasi u parandaluam nga disa zyrtarë të Kosovës dhe Malit të Zi të shkonim në votime në mënyrë të pavarur si Iniciativë Qytetare ‘Luca’, për të cilën i kemi të gjitha provat, pas presioneve të tyre më të egra për të mbështetur listën e serbëve të përfaqësuar nga Petroviq ose Rashiq, për të cilat ne për arsye të arsyeshme të cilën do ta paraqesim në një rast tjetër, nuk kemi pajtuar, vendosëm të mbështesim Lista Serbe, e cila është sot në koalicionin qeverisës me të gjitha partitë shqiptare që përbëjnë Qeverinë e Kosovës”.

“Kur të gjitha këto më lart janë të vërteta, të cilat nuk mund të mohohen, atëherë pyesim veten pse problemi është që komuniteti malazez dhe posaçërisht unë si Slobodan M. Vujiçiq mbështesim dhe bashkëpunojnë me Listën Serbe”, ka theksuar Vujiçiq, i cili dikur kundërshtonte këtë Listë.

Sloobodan Vujiçiq është pyetur edhe për raportet me Malin e Zi zyrtar, për të cilat ka thënë se Qeveria e Malit të Zi i ka tradhtuar malazezët e Kosovës.

“Qeveria e Malit të Zi na ka tradhtuar dhe për këtë kam argumente për të cilat njëherë tjetër do të flas publikisht”, ka thënë ai.

Vujiçiq ka thënë se populli në Mal të Zi është lodhur nga qeverisja 30-vjeçare e një njeriu, duke përmendur Presidentin e këtij shteti Milo Gjukanoviq, i cili në vitin 2016 ishte rrezikuar të vritej nga një grushtet i organizuar nga shërbimet e fshehta ruse.

“Pra, sipas meje, akuzat e individëve nga sistemi malazez janë ekskluzivisht të një natyre politike, dhe unë besoj se strukturat më të rëndësishme në Kosovë, të cilat kanë shumë probleme të tyre për t’u marrë, nuk do të përfshihen në to”, ka këshilluar ai.

Kurse lidhur me dokumentin e institucioneve malazeze, i cili e akuzon Vujiçiqin për pjesëmarrje në organizimet ortodokse serbo-ruse, ai ka thënë se, është krenar me atë që është besimtar i Kishës Ortodokse Serbe, duke mos përmendur aspektin e përfshirjes ruse në trazirat ortodokse atje.

“Si të gjithë ortodoksët në Kosovë, ne u pagëzuam dhe u martuam në Kishën Ortodokse Serbe, kështu që ne jemi besimtarët e saj, për të cilët jemi krenarë. Paraardhësit tanë, por edhe pasardhësit tanë, do të qëndrojnë besnikë deri në fund të një kishe të vetme, dhe kjo është Kisha Ortodokse Serbe”, ka shtuar Slobodan Vujiçiq në deklaratën për Kosovapress.

Më pas ai ka kujtuar se kjo gjë edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës u garantohet besimtarëve ortodoksë.

Kurse për akuzat kryesore që bëhen në drejtim të tij nga institucionet malazeze, Vujiçiq ka thënë se është dokument dashakeqës.

“Ata që e krijojnë atë janë gati për të gjitha llojet e fotomontazheve dhe shtypjeve më të përhapura kundër meje, në mënyrë që të më heshtin ose degradojnë sa më shumë që të jetë e mundur. Si qytetar, jam i gatshëm që publiku dhe familja ime t’i nënshtrohen një testi të drogës për një periudhë të pacaktuar kohe, por edhe të paraqesin kallëzime penale kundër kujtdo që përpiqet të më vjedhë mua, fëmijët e mi dhe tërë familjen në atë mënyrë”, është deklaruar Vujiçiq.

Vujiçiç është plot pezm kur flet për disa individë në Mal të Zi, specifikisht për Drejtorin e Drejtorisë për Diasporë në Qeverinë e Mali të Zi, Predrag Mitroviqin dhe ambasadorin e Malit të Zi në Prishtinë, Dinosha.

Ata i ka quajtur turp për kombin që e përfaqësojnë.

“Marrëdhënia ime me institucione të caktuara qeveritare dhe individë të rëndësishëm është në nivelin më të lartë, por për shkak të konflikteve të dukshme të brendshme politike dhe ideologjike në Mal të Zi, të cilat nuk i anashkaluan konfliktet brenda vetë qeverisë, nuk dua t’i përmend ato sepse nuk dua të shtoj karburant në zjarr”, është përpjekur Vujiçiq që ta mbyllë këtë çështje.

Në pyetjen e KosovaPress për dënimin me burg në Serbi, ai ka deklaruar se, ka vuajtur dënimin me burg dhe si qytetar i lirë në çdo vend demokratik ka të drejtën për gjithçka, si të gjithë qytetarët e tjerë.

“Diskriminimi në atë zonë ka qenë dhe do të jetë nga individë të parealizuar, por jo nga institucionet. Nga rruga, unë u dënova në 1996 për një krim që nuk e pranova kurrë, në atë kohë ajo gjykatë dënoi mijëra qytetarë të Kosovës për krime të ndryshme të rënda, duke përfshirë deputetët aktualë dhe ish-ministrat, presidentët, kryeministrat, etj”, duke mos precizuar se pse ka qenë i dënuar dhe pse është liruar nga burgu më herët se data e dhënë, në vitin 2010.