LAJMI I FUNDIT:

Iniciohet peticioni për dërgimin e lahutës shqiptare në UNESCO

Iniciohet peticioni për dërgimin e lahutës shqiptare në UNESCO

Disa vjet më parë pati një përpjekje mes Shqipërisë dhe Kosovës për ta regjistruar lahutën si vegël muzikore në UNESCO, si pasuri të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Por, kërkesa nuk u paraqit, sepse Kosova u pengua të bëhej anëtare e UNESCO-s, pasi Serbia regjistroi lahutën si trashëgimi të saj.


My veprim ngjalli shumë pakënaqësi tek shqiptarët.

Për të riinincuar certifikimin e lahutës, okarinës dhe këngëve kreshnike, qendra për zhvillim dhe promovim të kulturës tradicionale “Shkabat”,  ka iniciuar një peticion.

Themeluesi i kësaj qendre Sokol Plakolli, gjatë një prononcimi për Ekonomia Online thotë se peticioni është hapur dhe ka filluar të nënshkruhet, ndërsa në vazhdim do të bëhet edhe nënshkrimi i  aktit themelues të shoqatës së lahutarëve.

“Në UNESCO nuk mund ta procedojmë ne si individë as si shoqatë. Por, do t’i bëjmë apel Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Kulturës që të riinicojnë certifikimin e lahutës e okarinës dhe këngëve kreshnike në UNESCO si një fenomen i cili i takon enkas shqiptarëve në Ballkan”, thotë ai.

Lahutari nga Kelmendi i Malësisë së Madhe,  Jonuz Delaj, thotë se lahuta është e vjetër sa vetë Kelmendi. Thotë se ky instrument muzikor është trashëguar brez pas brezi dhe se i takon popullit shqiptar.

“E vërteta se unë që 10 vjeç i kam ra lahutës dhe e kemi si trashëgimi familjare, sepse gjyshi i babës, baba dhe unë jemi tre breza që i kemi ra lahutës dhe i kemi kënduar”, thotĕ ai.  “Kjo është një vegël tradicionale dhe si gjithë popujt e Evropës dhe botës e ruajmë folklorin si pasuri shpirtërore. Lahuta ka vajtuar dhe u ka kënduar trimave”.

Lahuta është një instrument i cili ka një shtrirje paneuropiane. E kanë spanjollët, portugezët, francezët, rumunët dhe ne. Është një emërtim, që vjen prej arabishtes al lahut (për lart).

Fakti që është një instrument me një emër, që ka ardhur prej botës arabike dhe jo nga Lindja drejt Perëndimit, sipas studiuesve do të thotë që është një instrument që i takon një familje të përbashkët. Megjithatë, lahuta shqiptare i ka veçantitë që e bëjnë të dallohet nga të tjerat. /EO/