Një influencues i njohur ukrainas ka ndërhyrë në një videokonferencë të zyrtarëve rusë, duke ndërprerë një takim ku po diskutoheshin problemet kronike të Rusisë me prodhimin dhe certifikimin e dronëve.

Sipas një regjistrimi të publikuar të dielën, Evhen Volnov, i njohur online me pseudonimin “Major Chernobaev”, arriti të hyjë në një takim në Zoom ku merrnin pjesë përfaqësues të Ministrisë ruse të Industrisë dhe Tregtisë dhe agjencisë shtetërore të aviacionit, Rosaviatsia.


Në videokonferencë ishin të kyçur të paktën 14 zyrtarë rusë, mes tyre zëvendësdrejtori i Rosaviatsias, Andrey Potemkin, përfaqësuesja e Regjistrit të Aviacionit të Rusisë, Evgenia Gvozditsina, si dhe zëvendësdrejtori i divizionit të dronëve në kompaninë Radar MMS, Evgeny Sivaev.

Tema zyrtare e takimit ishte procesi i certifikimit të modeleve të reja të mjeteve ajrore pa pilot. Gjatë diskutimit, Potemkin pranoi se prodhuesit rusë të dronëve po përballeshin me probleme në zhvillimin dhe certifikimin e modeleve të reja.

Ai krahasoi ritmin e ngadaltë të certifikimit në Rusi me proceset shumë më të shpejta në Kinë, duke u bërë thirrje kolegëve të tij që të punonin “më me përgjegjësi”.

Por, sapo diskutimi u hap për pyetje, Volnov mori fjalën dhe e ktheu takimin në një situatë të sikletshme për zyrtarët rusë, transmeton Telegrafi.

“Si është e mundur që inxhinierët ukrainas ndërtojnë mjete ajrore pa pilot efektive dhe të gatshme për luftim brenda tre javësh, në kushte primitive, ndërsa industria ruse e aviacionit, me miliarda rubla të shpenzuara, ka vetëm disa dokumente certifikimi për t'u treguar drejtuesve”, pyeti ai.

Më pas, Volnov i akuzoi zyrtarët se po dështojnë të prodhojnë pajisjet e nevojshme ndërsa fondet shtetërore vazhdojnë të shpenzohen.

“Si është e mundur që armiku po zhvillon një luftë, ndërsa ju ndërkohë po nxirrni para nga buxheti i shtetit”, u tha ai pjesëmarrësve.

Zyrtarët mbetën për disa momente në heshtje. Kryesuesi i takimit, Potemkin, kërkoi që personi pas ndërhyrjes të identifikohej.

Volnov fillimisht dha një emër të rremë dhe më pas pretendoi se ishte pjesë e Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU).

“Faleminderit për informacionin. Gjithçka është regjistruar. Të gjithë pjesëmarrësit janë regjistruar. Faleminderit për provat inkriminuese dhe për informacionin interesant dhe optimist”, tha ai në mënyrë ironike, përpara se organizatorët të ndërprisnin transmetimin.

Sipas komentit të publikuar bashkë me videon, qëllimi i takimit ishte pikërisht diskutimi i vështirësive të industrisë ruse të dronëve, ndërsa Volnov pretendoi se prodhuesit rusë nuk mund të ndërtojnë apo certifikojnë dronë pa komponentë të furnizuar nga Kina. Ky pretendim nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

Incidenti është pjesë e një serie ndërhyrjesh të ngjashme të Volnov në takime online të institucioneve ruse.

Më 6 gusht, ai publikoi pamje nga një tjetër videokonferencë e mbyllur e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, ku diskutohej prodhimi i sistemeve për bllokimin e dronëve. Në atë takim merrnin pjesë përfaqësues të kompanive të mëdha të industrisë së mbrojtjes dhe dhjetëra zyrtarë rusë.

Volnov ndërhyri edhe në atë konferencë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e sistemeve ruse kundër dronëve, ndërsa sulmet ukrainase ndaj objektivave në territorin rus vazhdonin.

Në një tjetër rast, në prill, operatorë ukrainas ndërhynë në një videokonferencë të organizuar për rekrutimin e ushtarëve në një universitet në Rusi. Një person që pretendonte se ishte agjent ukrainas iu drejtua të pranishmëve dhe i paralajmëroi të mos nënshkruanin kontrata për t’iu bashkuar ushtrisë ruse.

Ndërhyrjet e tilla janë kthyer në një formë lufte psikologjike dhe propagandistike, duke synuar ekspozimin publik të dobësive, problemeve administrative dhe kaosit të pretenduar brenda strukturave shtetërore dhe ushtarake ruse.

Megjithatë, pretendimet e bëra gjatë këtyre videokonferencave dhe nga vetë Volnov duhet të trajtohen me kujdes, pasi një pjesë e tyre nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur. /Telegrafi/