LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitarja thotë se nuk e di në çfarë operacionesh asistoi në “Medicus”

Dëshmitarja thotë se nuk e di në çfarë operacionesh asistoi në “Medicus”

Shpresa Makolli, teknike e klinikës “Medicus”, për disa orë vazhdoi dëshminë e saj në gjykimin ku Lutfi Dervishi po akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Makolli para trupit gjykues u përgjigj në pyetjet e prokurores Valeria Bolici lidhur me funksionimin e klinikës “Medicus”, operacionet që ajo kishte asistuar, njohjen e saj me Yosuf Somnezin, punësimin e saj në “Medicus” dhe mënyrën e pagesës që i bëhej.


E pyetur se çfarë detyre kishte urologu Lutfi Dervishi si drejtor i klinikës “Medicus”, Makolli tha se ajo nuk kishte asnjë njohuri lidhur me këtë pasi që nuk ishte detyrë e saj të dinte për obligimet e tij.

Megjithëse tha se nuk dinte për detyrat e tij si drejtor, Makolli tha se i akuzuari Lutfi Dervishi ishte ai që e kishte punësuar në “Medicus” ndërsa mohoi që merrte instruksione nga ai lidhur me punën e përditshme.

“Unë nuk kam marrë ndonjë udhëzim nga ai lidhur me punën time, vetëm në fillim më ka treguar që detyra ime është sterilizimi i instrumenteve dhe më ka thënë se sterilizimi nuk guxon të dështojë”, tha Makolli.

Makolli mohoi që paguhej nga Dervishi teksa tha se pagesën për punën e saj ia bënin disa infermierë të tjerë që e paguanin në “kesh”.

Dëshmitarja e pyetur se si e dinte se çka do të punonte u përgjigj duke thënë se kur ishte në katin e parë asistonte në kardiokirurgji ndërsa kur ishte në përdhes të klinikës kishte të bënte me urologji.

Makolli tha se me doktorin e përfolur Yosuf Somnez nuk kishte kontakt pasi që nuk e njihte gjuhën turke dhe gjuhën angleze dhe kjo i pamundësonte kontaktin me të.

Prokurorja Bolici përpos njohjes me doktorin Somnez dëshmitaren e pyeti edhe lidhur me operacionet që ajo asistonte në “Medicus”, por dëshmitarja tha se nuk kishte vërejtur diçka në operacione.

“Unë nuk e di emërtimin taktik të operacioneve që zhvilloheshin sepse nuk jam e thirrur për atë punë. Unë jam e thirrur për sterilizimin e instrumenteve dhe unë përcjell instrumentet dhe kjo është detyra ime”, u përgjigj dëshmitarja.

Duke treguar insistim prokurorja Bolici e pyeti dëshmitaren se a kishte vërejtur diçka të veçantë në mbi 20 operacione që kishte marrë pjesë në klinikën “Medicus”, por dëshmitarja u përgjigj se nuk kishte parë diçka specifike.

“Asgjë të veçantë. Unë këtë profesion e ushtron edhe në Qendrën Klinike dhe detyra ime është me i dhanë instrumentet dhe unë nuk kam vërejtë ndonjë indikacion apo diçka të veçantë”, tha Makolli.

Dëshmitarja përgjigje nuk dha as lidhur me kohëzgjatjen e operacioneve duke thënë se kjo varet për llojit të operacionit dhe individit dhe për asnjë operacion nuk ka kohëzgjatje të caktuar.

Së bashku me Dervishin po akuzohet edhe Sokol Hajdini që akuzohet për lëndim të rëndë trupor, ndërsa procedura ndaj djalit të Lutfi Dervishit është veçuar pasi që i njëjti nuk u është dorëzuar organeve të drejtësisë.

Në vitin 2013 urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar me 8 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës nën akuzën për krim të organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore, ndërsa këtë vendim ia vërtetoi në vitin 2016 edhe Gjykata e Apelit.

Djalit të Lutfiut, Arbanit, i cili nga Gjykata Themelore ishte dënuar me 7 vjet e tre muaj burg, Gjykata e Apelit ia ngriti dënimin në 8 vjet, ndërsa Sokol Hajdini nga Gjykata e Apelit u dënua me 5 vjet burg për dallim nga dënimi prej 3 vjetësh që i kishte shqiptuar Gjykata Themelore.

Sokol Hajdini akuzohej për lëndime të rënda trupore, ndërsa i ishte ndaluar edhe ushtrimi i punës së anesteziologut për një vit.

Edhe Lutfi Dervishit, Gjykata përveç dënimit me burg, ia kishte ndaluar ushtrimin e profesionit për tre vjet.

Krejt këto vendime ishin hedhur poshtë pasi që Gjykata Supreme e Kosovës kishte gjetur shkelje dhe kishte kthyer në rigjykim këtë çështje.

Lutfi Dervishi ishte arrestuar më 10 janar 2017, pas disa muajsh në arrati.

Në seancën e kaluar, dëshmitarja Shpresa Makolli kishte deklaruar se për transplantimet e kryera në “Medicus” kishte kuptuar nga televizioni, shkruan Kallxo.com.

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Këshilltari i kryetarit shqiptar në Zubin Potok për mediat në Serbi: Lista Serbe e ka fajin për gjithçka

Politikë
Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Përshkallëzohet sërish protesta e opozitës, hidhet molotov në derën e Bashkisë

Lajme
“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

“Kryeministër si 2, si 7, si 27, është ngacmim seksual”, Lëvizja Studentore Feministe me aksion simbolik

Lajme
QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata

QKUK-ja bëhet me skanerin PET/CT, donacion nga organizata "Alwaleed Philanthropies Global" në bashkëpunim me Fondacionin “Jahjaga”

Shëndetësi
Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Dorëzimi i donacioni i PET/CT, Osmani takon princeshën Alsaud – flasin për projektet tjera në interes të qytetarëve

Lajme
Kalo në kategori